1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

251109 Brender ZDF

27 Nëntor 2009

A do të mbetet Brender kryeredaktor i ZDF-së? A rrezikohet pavarësia medieve? Këshilli Administrativ i televizionit ZDF dominohet nga kryeministra që ndodhen në poste ose që e kanë patur këtë post dhe nga politikanë.

https://p.dw.com/p/Kj2T
Nikolaus Brender, kryeredaktor i ZDF
Nikolaus Brender, kryeredaktor i ZDFFotografi: picture-alliance/dpa

Kryeministri kristiandemokrat i landit të Hesenit, Roland Koch u bë shkas për nisjen e një debati, kur në muajin shkurt të këtij viti kërkoi në një intervistë me gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, që kontrata e kryeredaktorit të ZDF-së, Nikolaus Brender të mos zgjatet. Koha e mbajtjes së detyrës për të përfundon në mars të 2010-ës. Koch e argumentoi "Jo-në" e tij me rënien e numrit të shikuesve të ZDF, kryesisht për emisionin e lajmeve. Fakt është se që prej vitit 2002, emisioni i lajmeve të ZDF-së, "Sot" (Heute) ka humbur në kuotat shikuesve në treg po ashtu si dhe emisioni i lajmeve të ARD-së, "Tablloja e ditës " (Tagesschau) dhe emisionet e lajmeve të stacioneve të tjera. Specialistët bëjnë përgjegjës për rënien e numri të telespektatorëve ofertat në internet të emisioneve të lajmeve të televizioneve.

Kritika e Roland Koch-ut drejtuar Brender-it është problematike, sepse kryeministri i landit të Hesenit, bën pjesë në Këshillin Administrativ të ZDF-së të përbërë nga 14 vetë. Këshilli duhet të vendosë në marrëveshje me Drejtorin e Përgjithshëm të ZDF-së, Markus Schächter për zgjatjen e kontratës së Brenderit. Schächter-i dëshiron që Brenderi të qëndrojë në detyrë. Nëse do jetë në gjendje ta arrijë këtë, kjo nuk dihet. Sepse Këshilli Administrativ i ZDF-së është organizuar prej kohësh në dy grupe miqsh, në socialdemokratët "e kuq" dhe në konservatorët "e zinj". Themelimi i ZDF në vitin 1962 u bë me një nismë të kancelarit kristiandemokrat gjerman, Konrad Adenauer.

Që nga ajo kohë në Këshillin mbikqyrës ka patur shumicë të "grupit konservator", thotë eksperti i mediave Jörg Wagner.

Jo më kot ZDF u quajt që në fillim "televizioni i Adenauer-it", sepse Adenaueri dëshironte ta kthente në televizion shtetëror, por nuk arriti. Megjithatë dominanca e grupit të konservatorëve ka qenë e dukshme. Dhe ndikimi i tyre në dhënien e posteve të larta, ka qenë shumë zyrtare."

Aktualisht "grupi konservator" ka 9 vota në Këshillin Administrati të ZDF-së, "të kuqtë" vetëm 5. Shumica e qartë e kampit të tij duket se i jep Roland Koch-ut sigurinë që të dalë hapur kundër Nikolaus Brender -it dhe të kërkojnë zëvendësimin e tij kundër dëshirës së Drejtorit të Përgjithshëm të ZDF. Fritz Pleitgen-i, ish-Drejtor i Përgjithshëm, Westdeutsche Rundfunk mendon se është legjitime që përfaqësuesit e partive në lande të zotërojnë vende dhe vota në organet e mediave publike, sepse në fund të fundit landet janë përgjegjëse për mbajtjen e sistemit të mediave, thotë Pleitgen-i:

Megjithatë unë kam përshtypjen se këtu kemi të bëjmë me një shembull jo dhe aq të mirë, për atë që thuhet vazhdimisht se partitë ose disa parti përpiqen t`i kthejnë mediat në pre të tyre."

Kryeredaktori i ZDF-së, Nikolaus Brender vlerësohet si gazetar i pavarur, i cili nuk i nënshtrohet skemës së miqve "të kuq" ose atyre konservatorë, por kërkon më shumë autonomi. E qartë është se Brender ka prekur në komentet e tij edhe politikanë, që marrin pjesë në Këshillin Administrativ të ZDF-së, për shembull ish- kryeministrin bavarez dhe kryetar i Partisë së Unionit Kristiansocial, Edmund Stoiber. Megjithatë, të kërkosh ta zëvendësosh Brender-in për këtë arsye do të thotë se kemi të bëjmë me një kufizim të madh të lirisë së garantuar me kushtetutë të mediave, mendojnë shumë vëzhgues.

Profesori Matthias Cornils nga Universiteti i Maincit është një prej 35 avokatëve gjermanë të shtetit, i cili në një letër të hapur kujton pavarësinë nga shteti, që kushtetuta gjermane parashikon për mediat publike. Ndryshe nga institucionet e tjera publike në Gjermani, në ZDF ka shumë përfaqësues të shtetit në organet vëzhguese, kritikon Matthias Cornils. Ai mendon se kjo bie në kundërshtim me kushtetutën:

Në fakt Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë në jurisprudencën e respektimit të Kushtetutës për mediat vazhdimisht në pah elementin bazë që media duhet të organizohet e pavarur nga shteti. Kjo do të thotë se nuk duhet të bjerë në duart e qeverisë ose të shtetit. Që do me thënë se mediat duhet të gëzojnë autonomi, do me thënë se duhet të organizohet në mënyrë të tillë që vendimet për programin të merren nga ata që bëjnë programet dhe jo të kontrollohen nga shteti."

Një land i vetëm ose një e treta e deputetëve të parlamentit gjerman (Bundestag) mund të kërkojnë që gjykatat të provojnë nëse Këshilli Administrativ i ZDF-së është në përputhje me kushetutën. Por nga grupi "i kuq" i ZDF-së nuk është ngritur deri tani një akuzë e tillë. Me sa duket shumica e organeve nuk janë të interesuar që të vënë në diskutim sistemin e deritanishëm ushtrimit të ndikimit.

Autor: Ludger Fitkau/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi