1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një ditë në zemër të Europës

Sabrina Pabst / Vilma Filaj-Ballvora8 Maj 2013

Kriza ekonomike dhe financiare po e trondisin Europën me papunësinë e lartë, pensionet e pasigurta dhe pasigurinë. Sa euforikë janë europianët? Një test në praktikë në festën europiane në Bruksel.

https://p.dw.com/p/18TiJ
Fotografi: picture-alliance/dpa

Si një anije kozmike mbidimensionale të duket pallati me xhama i Parlamentit Europian në Bruksel. Fasadat e kthjellëta prej qelqi të godinës gjigante të lenë përshtypjen e ftohtësisë dhe distancës. Deputetët e BE-së këtu konsultohen për pothuajse të gjithë të drejtën e BE-së. Parlamenti Europian është asambleja më e madhe demokratike e botës dhe i vetmi organ i zgjedhur direkt prej gati 500 milionë qytetarëve të BE-së. Por a vjen zëri, e në radhë të parë zëri i njerëzve deri këtu?

„2013 është viti i qytetarëve të BE-së“: fjalë miqësore këto të shkruara në një pllakatë të varur mbi hyrjen e godinës. Por a nuk do të duhej që kjo ditë çdo vit t'u dedikohej qytetarëve?

Para parlamentit njerëzit janë mbledhur në sheshin e "Solidaritetit" në zemër të Brukselit. Një band bas krijon atmosferë të gëzueshme dhe vizitorët kërcejnë sipas ritmit tëmuzikës. Në "festën e Europës" institucionet e BE-së,Komisioni, Parlamenti, Këshilli i Ministrave, hapin për një ditë portat, në mënyrë që qytetarët e interesuar të mund ta përjetojnë nga afër politikën e BE-së. Stendat e organizatave të veçanta dhe shoqatave të përfaqësimit të interesave ofrojnë në këtë ditë informacione të shumta mbi punën e tyre.

Dita e portave të hapura në Bruksel
Dita e portave të hapura në BrukselFotografi: DW/S. Pabst

Të dalim të fortë nga kriza

Europa – çfarë është në fakt kjo? Paqe, demokraci, liri, stabilitet dhe mirëqenie: pas një shekulli plot konflikte dhe dy luftrash të mëdha të gjithë europianët mund të jenë të sigurtë, se brenda aleancës së shteteve mund të jetojnë së bashku në paqe. Vizitorët e interesuar duan në këtë ditë të mësojnë më shumë për atdheun e tyre, për të drejtën e tyre politike të bashkëvendosjes dhe për të ardhmen europiane, një krijesë kjo që duket se po shkërmoqet. Klima e krizës në Europë dhe shqetësimi e frika e gjthesecilit duket se në këtë ditë janë harruar. Megjithatë nëse i pyet konkretisht vizitorët vihen në mendime.

Europianët po humbasin besimin tek BE-ja dhe institucionet e saj, siç vërteton një studim i publikuar së fundi. Qytetarët e BE-së shqetësohen për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për vendet e punës dhe pensionet e tyre. Ata zhgënjehen nëse u krijohet përshtypja, se zëri i tyre nuk dëgjohet në institucionet e BE-së. Demonstrata, protesta dhe dhuna janë shprehje e qëndrimit të popullsisë së velur prej politikës.

Solidariteti në vend të së drejtës së të fortit

"E mira e protestave në vende si Greqia apo Spanja është, se njerëzit tërheqin vëmendjen e politikës. Por mënyra se si bëhet kjo, është shqetësuese. Dhuna nuk i zgjidh problemet e tyre. Kriza tregon, se si ndihen qytetarët. Por zgjidhja duhet të gjendet në nivelin europian dhe jo në vendet e prekura", thotë Ana në intervistë për Deutschen Wellen. Ajo dhe shoqja e saj Irene vijnë nga Sllovenia dhe i ndjekin prej vitesh zhvillimet politike në Europë. "Politika europiane është e konfrontuar me kohë të vështira, por kjo nuk është as hera e parë dhe as e fundit. Unë shpresoj, që ne do ta përballojmë edhe këtë krizë dhe që prej saj do të dalë një BE më e fortë dhe më e rëndësishme në arenën ndërkombëtare."

Irene dhe Ana nga Sllovenia
Irene dhe Ana nga SlloveniaFotografi: DW/S. Pabst

Baza për këtë bashkëjetesë brenda BE-së janë diversiteti kulturor, angazhimi i madh për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe vlerat e përbashkëta. Sidoqoftë edhe në kohë të tilla si sot, kur duket se stabiliteti po lëkundet, është edhe më e rëndësishme që t'i përmbahesh solidaritetit dhe vlerave të përbashkëta, në mënyrë që nga kohët e krizës ekonomike dhe financiare të krijohet një Europë e re dhe më e fortë. Në këtë krizë ka vetëm dy mundësi: ose të gjithë humbasin, ose të gjithë bashkë bëhen fitues. E rëndësishme në këtë kohë është, që solidariteti dhe diplomacia të qëndrojnë mbi të drejtën e të fortit.

Dëshirohet një parlament më transparent

Francoise është belg dhe angazhohet në politikë në një organizatë rinie. Ai e sheh me sy kritik zgjerimin e BE-së. "Europa rritet shpejt. Mentaliteti i qytetarëve nuk ndryshon kaq shpejt. Ne kemi së shpejti 28 vende anëtare. Ne duhet ta ndërpresim një herë zgjerimin dhe të krijojmë stabilitet në Europë. Deri tani duket, sikur secili vend do të ruajë interesat e veta dhe askush nuk mendon për Europën si e tërë." Qoftë shtete të vogla apo të mëdha, në Jug apo në Veri, në Lindje apo në Perëndim të Europës - dallimet midis vendeve anëtare lihen jashtë vëmendjes.

Çdo shtet ka të drejtën e fjalës. Por BE-ja dhe integrimi europian nuk janë të vetëkuptueshme. Dallimet fillestare dalin sërish në pah pikërisht në kohë krize. E pikërisht tani duhet që t'u përmbahemi idealeve dhe vlerave të përbashkëta. Benjamin nga Federata e të Rinjve Europianë (Young European Federalists) e sheh ngjashëm këtë problem. "Një Europë e përbashkët nis me zgjedhjet e përbashkëta - jo vetëm të parlamentit, por edhe të komisionit. Qytetarët e BE-së nuk e dinë, se kush vendos faktikisht në Bruksel. Ata ndonëse më pas gjithmonë fajësojnë politikanët e Brukselit, këta në fakt janë politikanët e vendeve të veçanta që kanë nënshkruar marrëveshjen, të cilët duhet të vendosin këtu. Por ky fakt lihet jashtë vëmendjes."

Një ditë në Bruksel tregon, se të rinjtë europianë interesohen për zhvillimet politike në BE. Eshtë e kuptueshme që ata shohin një të ardhme të zymtë me shqetësime ekzistenciale. Por protestat e tyre tregojnë, se ata janë të gatshëm të angazhohen në politikë dhe të luftojnë për interesat e tyre. Tani politika duhet të tregojë, se angazhohet për problemet e qytetrëve dhe mund t'i zgjidhë krizat e tyre. Prej situatës aktuale duhet të zhvillohet një Europë, e cila të jetë ekonomikisht e fortë, me drejtësi sociale dhe demokratike.

Nënshkrimi i planit Schuman në më 09. 05.1950 në Ministrinë Jashtme në Quai d'Orsay në Paris
Nënshkrimi i planit Schuman në më 09. 05.1950 në Ministrinë Jashtme në Quai d'Orsay në ParisFotografi: picture-alliance/dpa

Përse dita e Europës?

Dita e Europës kujton fjalimin e Robert Schuman më 9 maj 1950. Në fjalimin e tij ai u bëri thirrje Francës, Italisë, Gjermanisë, Belgjikës, Luksemburgut dhe Holandës të themelojnë një Komunitet Europain të qymyrit dhe çelikut. Armiqtë e dikurshëm u bënë miq. Kjo aleancë është themeli i Bashkimit të sotëm Europian.