Nis procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoni
2 Tetor 2011Të shtunën (01.10.2011) në Maqedoni nisi regjistrimi i popullsisë. Ky proces i rëndësishëm demografik në prag të fillimit kishte gjasa reale për të dështuar., pasi anëtarët shqiptarë dhe turq të KSHR-së dhanë dorëheqje të parevokueshme, duke argumentuar se nuk janë përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e regjistrimit.
Gjatë ditës së premte (30.10.2011) u zhvilluan bisedime të një pasnjëshme midis kryemnistrit Nikolla Gruevski dhe kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti për gjetjen e rrugëdaljes nga situata e krijuar. Si rezultat i këtyre bisedimeve u shkarkua nga posti krytarja e KSHR-së Vesna Janevska, ndërsa si anëtarë të rinj të komisionit u emëruan Bujar Osmani dhe Artan Grubi, në këtë mënyrë është plotësuar kërkesa e BDI-së, që ka qenë njëkohësisht kusht për fillimin e procesit të regjistrimit.
Kryetarja e shkarkuar e komisionit Vesna Janevska, vlerëson se në Maqedoni po përgaditet edhe një falsifikim i madh i regjistrimit: "Kolegët e mi shqiptarë dhe turq në KSHR nuk më lanë hapësirë minimale për besim se regjistrimi do të realizohet ashtu siç duhet. Ne u kundërshtuam në çeshtje esenciale", është shprehur Janevska.
Nënkryetari i KSHR-së Bujar Osmani thotë se procesi i regjistrimit do të realizohet konform ligjit dhe se nuk do të ketë manipulime, sipas tij " BDI-ja i përmbahet qëndrimit, se regjistrimi është një process i rëndësishëm statistikor ndoshta për çdo vend në botë, por për Maqedoninë ai ka një rëndësi të veçantë", thotë Osmani.
Procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoni do të vëzhgohet edhe nga një delegacioni i Eurostat.
Autor Fatos Musliu
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora