1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Nga dhuna verbale te ajo reale

Në shumë rrjete sociale dominon një gjuhë agresive, e cila bashkon ata që janë të një ideje, por mund të çojë dhe në dhunë reale. Tema që acaron më tepër për momentin është kriza e refugjatëve.

Kancelarja nuk duhet të ketë më shumë kënaqësi me faqen e saj në Facebook. Prej muajsh në faqen e saj vazhdon breshëria e kritikave ndaj kursit të saj ndaj refugjatëve, shpesh me fjalë pak miqësore. "Me çfarë paturpësie, me të ç'arrogancë, me ç'gënjeshtra, me çfarë kënaqësie ia bën Merkeli këtë gjë Gjermanisë është në zemërgurtësi dhe jo humanizëm", mendon Dieter Naußed. "Të huajt po qeshin me ne. Po Merkeli nuk e kupton", shkruan një tjetër.

Toni në rrjetet sociale po bëhet gjithnjë e më i ashpër, si në Facebook dhe në faqe të tjera. Tema që acaron më tepër për momentin është kriza e refugjatëve. Kërkesat e përsëritura të ministrit të Drejtësisë, Heiko Maas, drejtuar Facebook-ut për t'i shuar komentet me përmbajtje që bëjnë thirrje për urrejtje, i bën shumë njerëz që ta ashpërsojnë edhe më tepër gjuhën që përdorin.

Në një studim të "Munich Digital Institute" thuhet se sipas një anketimi me 1271 përdorues të FB, rreth 70% shprehën se diskutimet politike ne FB janë bërë më agresive dhe emocionale. 74% janë të mendimit se në FB po shtohen mendimet politike ekstreme. 53% deklaruan se do të njoftojnë në rast se shohin komente me që bëjnë thirrje për urrejtje.

Një dinamikë e padëshirueshme grupi

Sipas publicistit dhe islamologut Gerald Schneiders, në rrjetet sociale ka kohë që përhapen komente ekstremiste me përmbajtje të rëndë. Interneti është bërë një lloj inkubatori, ku njerëzit me ide ekstremiste gjejnë shpejt njëri-tjetrin, shprehin lehtësisht idetë e tyre dhe marrin menjëherë edhe feedback. Kjo sipas tij sjell me vete edhe forcimin e bindjeve.

Schneiders, i cili ndjek sidomos me vëmendje faqet e ashtuquajtura kritike ndaj fesë islame, i njeh mekanizmat që çojnë në çlirimin dhe mospërmbajtjen e mëtejshme të njerëzve: "Sa herë që dikush shtyp butonin "like" disave kjo u përkëdhel egon. Në këtë mënyrë gjejnë njëri-tjetrin njerëz me ide të përbashkëta, që bashkohen në grupe dhe bëhen kështu më të fortë dhe të guximshëm."

Mungesa e kontrollit social

Në internet njerëzit sillen në përgjithësi më keq se sa do të silleshin po të kishin të tjerë përballë si në jetën reale, thotë psikologia Catarina Katzer duke u bazuar në vëzhgimet e saj. Sipas saj përveç krijimit të grupeve të njerëzve me mendime të njëjta, rënia e barrierave të sjelljes në internet ka të bëjë edhe me mungesën e kontrollit të ndërveprimeve sociale përmes internetit.

Por problemi i gjuhës ofenduese, agresive dhe të ashpër çon sipas ministrit të Brendshëm të landit NRW, Ralf Jäger, edhe në dhunë fizike. "Urrejtja në rrjetet sociale nxit klimën e frikës dhe të dhunës," - thuhet në faqen e kësaj ministrie. "Ajo nxit për veprime kundër azilantëve dhe për të vënë zjarre në strehimoret e tyre."

Edhe juristja ameriane, Juristin Susan Benesch, e cila boton faqen "dangerousspeech.org", tërheq vëmendjen për lidhjen mes dhunës verbale dhe reale. Ndër faktoret që favorizojnë dhunën verbale në internet është edhe anonimiteti. Faktor tjetër favorizues eshtë edhe mungesa e pluralizimit, sepse në forume të ndryshme gjen shumë pak mendime të ndryshme. Në vend të tyre shumica e anëtarëve të këtyre grupeve mbështesin mendimin e njëri-tjetrit.