1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"New Deal" - Koha nuk pret

Letrat duhen përzier nga e para. Ndonjë "as" duhet ta marrin të rinjtë. Në samitin e punësimit në Paris u tha se rinia evropiane ka nevojë për punësim. Është koha për politikë praktike, komenton Ute Schaeffer.

Rubrikenbild Kommentar albanisch. DW-Grafik: Per Sander 2010_06_18_sendungslogos_albanisch.psd

"New Deal" është një shprehje në anglisht, që do të thotë: t'i përziesh letrat nga e para. Që prej vitit 1930 kjo shprehje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është sinonim me reformat e suksesshme ekonomike dhe sociale. Në atë kohë presidenti amerikan Franklin Delano Roosevelt e zbatoi New Deal-in kundër krizës globale ekonomike, me sukses të madh. Reformat ndihmuan për kapërcimin e vështirësive ekstreme dhe i dhanë një brezi të frikësuar sërish guxim. Pavarësisht krizës globale ekonomike SHBA, ndryshe nga Gjermania, nuk u larguan nga rruga e demokracisë.

Brezi i humbur

Sot bëhet fjalë pak a shumë për të njëjtën gjë, sepse në Bashkimin Evropian një ndër katër vetë nën 25 vjeç është pa punë. Në Greqi dhe Spanjë madje një ndër dy vetë. Kriza financiare dhe ekonomike ka krijuar një brez të ri të dëshpëruar. Pasi aty, ku kursehet, ka më pak mundësi arsimimi, punësimi dhe konsumohet më pak. Kështu që mbyllen vende pune.

Këta të rinj kanë pasur rezultate të mira, janë shkolluar e megjithatë mbeten pa perspektivë. Një brez i humbur. Një brez, i cili ka humbur besimin në sistemin social dhe politik, që ishte krijuar nën çatinë e Evropës. Një sistem, i cili - së paku në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara - duhej t'i kishte mbrojtur ata në fakt nga margjinalizimi dhe nga varfëria.

Kryeredaktorja e DW, Ute Schaeffer

Kryeredaktorja e DW, Ute Schaeffer

"Evropa" për shumë të rinj është një zhgënjim. Ajo e ka humbur besueshmërinë e saj. Dhe kjo indirekt nxjerr pyetjen, nëse modeli evropian, që bazohet në vlerat themelore të drejtësisë dhe lirisë, do të jetë në gjendje të triumfojë në të ardhmen. Një arsye e fortë për të vepruar shpejt dhe jo vetëm për t'i formuluar synimet.

Kredibiliteti i Europës vihet në pikëpyetje

Në samitin e punësimit në Paris të gjithë ishin të një mendimi, se rinia e Evropës ka nevojë për punë. Më shumë dhe shpejt! Këtë duhet ta bëjë "New Deal for Europe". E rëndësishme tani është që New Deal të përfshijë shpejt dhe me rezultat të rinjtë. Kjo nuk është vetëm një çështje e politikës së punësimit, apo ekonomike.

Trazirat e fundit në shtetin deri tani model të mirëqenies, Suedi, tregojnë se aty, ku mbizotërojnë margjinalizimi dhe varfëria, ku nuk ka perspektiva, aty shfaqet rreziku i dhunës. Aty demokracia humbet truallin dhe interesimin për të, siç tregon rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje në vendet e reja anëtare të BE-.së. Atëherë fitojnë përkrahës idetë populiste dhe radikale, mjafton të hedhim një vështrim në Hungari.

Nëse Evropa nuk bën diçka për të shpëtuar një brez të tërë, atëherë edhe ideja evropiane vihet në pikëpyetje, sepse ajo bazohet në vlerat themelore të drejtësisë dhe lirisë. Dhe pikënisja e kësaj perspektive është, se kudo në Evropë ka shanse të ngjashme dhe të mira për të jetuar dhe për të punuar. Që Evropa të mos shkërmoqet në zona me zhvillim të ndryshëm, siç është rasti momentalisht.

Prandaj zgjidhja e problemit ka rëndësi ekzistenciale, jo vetëm për të rinjtë në fjalë, por edhe për Evropën. Besueshmëria duhet rikthyer dhe duhet reklamuar, që ideja evropiane është një ide me të ardhme. Me pak fjalë, të bëhet më në fund diçka!

Pikë në fushatë

Samiti i Parisit përfundoi me shpallje deklaratash. Por megjithatë ato u prezantuan njëzëri dhe u sanksionuan në nivel të lartë politik. Në samit morën pjesë ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble dhe homologu i tij francez Pierre Moskovici. Nga 60 milionë eurot e deritanishme, që BE-ja i kishte planifikuar për punësimin deri në vitin 2020, do të bëhen 60 miliardë euro. Franca dhe Gjermania veprojnë si tandem në këtë çështje. Gjë mjaft e rrallë, por tani ka arsye të forta. Edhe në qoftë se çështja deri tani është zvarritur dhe trajtuar me gjysmë zemre, ajo vlen si temë populiste në vendet respektive. Socialistët francezë e preferojnë temën e "punës", dhe në Gjermani kjo temë mund të sjellë pikë në fushatën për zgjedhjet parlamentare.