1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250111 Klitschko UDAR Berlin

27 Janar 2011

Në Ukrainë vazhdon lufta e papajtueshme mes forcave blu të kampit prorus rreth presidentit Janukoviç dhe forcave të kampit të portokalltë në krah të ish-presidentit Jushçenko dhe konkurrentes së tij Timoshenko.

https://p.dw.com/p/105rJ
Klitçko kërkon të merret me politikë
Klitçko kërkon të merret me politikëFotografi: AP

Shumë ukrainasve iu ka ardhur në majë të hundës kjo dasi. Tashmë një forcë e re politike do të përfitojë nga situata aktuale. Kreu më i rëndësishëm i saj vizitoi të martën Berlinin.

Kryetari i një partie opozitare ukrainase, ende pa vende në parlamentin e këtij vendi vizitoi Berlinin - dhe kamerat e fotografët e rrethuan atë sikur të bëhej fjalë për ndonjë politikan me skandale apo për ndonjë burrë të madh shteti. Vitali Klitçko i njohur si kampion bote në boks ka themeluar partinë e tij: Aleanca Demokratike Ukrainase për Reforma, shkurt UDAR, që në rusisht dhe gjuhën ukrainase do të thotë "goditja".

Präsidentschaftswahlen in der Ukraine 2009
Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, 2009Fotografi: DW

Klitçko: "Kjo qëndron, unë jam i njohur si sportist, si boksier dhe po qe se politikën veçanërisht atë ukrainase e krahason me boksin, atëherë mund të thuash: Është një luftë pa rregulla."

Klitçko, që së bashku me vëllanë e tij bëri karrierë në Gjermani si boksier profesionist në peshën e rëndë, është angazhuar për herë të parë politikisht gjatë revolucionit të portokalltë në Ukrainë. Asokohe opozitarët demonstruan me javë të tëra kundër manipulimeve të zgjedhjeve të kampit prorus dhe arritën të inicionin zgjedhje të reja.

Në vitet e fundit "blutë" dhe "portokallinjtë" kanë zhvilluar një luftë të ashpër për pushtet, e cila për herë të fundit shkoi në favor të presidentit prorus Viktor Janukoviç. Boksieri Klitçko dy herë ka kandiduar pa sukses për postin e kryetarit të bashkisë të Kievit. Në vitin e shkuar së bashku me disa përkrahës të tij ai themeloi një parti të re.

Klitçko: "Çështja e ngjyrës nuk është më aq e rëndësishme për ukrainasit si para pesë vjetësh - je blu apo i portokalltë. Ne kemi tani një tendencë, të cilën e kuptojnë të gjithë, sepse të gjithë duam të njëjtën gjë - një standard jetësor si në Evropë. "

Kështu edhe partia e Klitçkos e quan veten demokratike, pro-evropiane, pro shtetit social dhe ekonomisë. Që nga themelimi i saj në prill 2010, UDAR ka regjistruar 10.000 anëtarë. Por po qe se të gjitha partitë duan të njëjtën gjë siç thotë Klitçko, atëherë pse duhet edhe një parti tjetër?

öffentliche Verkehrsmittel in Donetsk Ukraine wo Fußballspiele von EURO-2012 stattfinden werden
Donetsk, UkrainëFotografi: DW

Vitali Kovalttshuk është zëvendësi i boksierit: "Programet e këtyre partive janë para së gjithash fjalë në erë. Ne nuk duam të bëjmë gabimet që kanë bërë konkurrentët tanë dhe duam të bëjmë një program realist të partisë. Qëllimi i bisedave tona është të njohim nga afër partinë kristiandemokrate CDU, të mësojmë nga ajo dhe të përpunojmë në këtë mënyrë bazat tona ideologjike. Ne po jetësohemi si parti - dhe jemi ndërkohë një e tillë- që dallohet nga të tjerat përmes veprimit konkret."

Delegacioni ukrainas ka ardhur me ftesë të fondacionit të afërt me CDU-në, Konrad Adenauer në Berlin, dhe kategorizohet kështu tek spektri konservator politik. Por ende është e paqartë se ç'formë do të ketë programi i kësaj partie. Kemi pasur shumë pyetje dhe na kanë ardhur shumë ide interesante, thotë Klitçko. Vetëm një person nuk gjeti kohë për Klitçkon.

"Ne ishim edhe në zyrën e kancelares Merkel, por ajo nuk ishte aty."

Në mars Klitçko do të dalë për herë të fundit në ring për të mbrojtur titullin e kampionit. Deri sa ai të bëhet edhe në politikën ukrainase një peshë e rëndë, do duhet të kalojë edhe ca kohë.

Autor: Mathias Bölinger/ Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama