1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210610 Synovate Studie

22 Qershor 2010

Kërcënimi nga ndryshimi global i klimës ndihet nga njerëzit në të gjithë botën. Në këtë përfundim arrin një studim, i cili u prezantua të hënën (21.06.) në Global Media Forum në Bonn.

https://p.dw.com/p/NzmF
Steve Garton, Synovate Hongkong
Steve Garton, Synovate HongkongFotografi: DW/Danetzki

Jo më pak se 13 mijë njerëz në 18 vende në të gjitha kontinentet u pyetën nga instituti i sondazheve Synovate: me telefon, me anë të intervistave dhe online. Steve Garton, përgjegjës për sektorin e medieve te Synovate, sheh në mbetjen konstant të shqetësimit në krahasim me vitet e mëparshme njërin nga rezultatet më të rëndësishme: "Rreth një e treta thotë: 'Ne vazhdojmë te jemi shumë të shqetësuar për ndryshimin e klimës dhe për pasojat që do të ketë ai'. Dhe po t'u shtojmë atyre edhe të tjerët, që janë pak të shqetësuar, atëherë shohim se mbi gjysma e të pyeturve është e shqetësuar."

Studimi i hartuar në bashkëpunim me Deutsche Welle-n arrin megjithatë në një përfundim disi irritues. Drejtori i Përgjithshëm i DW, Erik Bettermann thotë përmbledhtazi: "Neve na u desh të konstatojmë së bashku, se njohuritë, të ndierët e ndryshimit të klimës kanë një përhapje të gjerë, por: se numri i atyre, që mendojnë: 'Epo edhe kaq keq me sa duket nuk është puna' është në rritje. Këta gjithsesi janë dhjetë përqind."

Erik Bettermann
Erik BettermannFotografi: DW

Gazetarët duhet të nxisin ndërgjegjësimin

Prandaj Bettermanni kërkoi në paraqitjen e studimit në kuadër të "Deutsche Welle Global Media Forums" në Bonn, që mediet t'i pasqyrojnë temat qendrore të së ardhmes sa më objektivisht që të jetë e mundur dhe t'i bëjnë ato të kuptueshme. Me histori të investiguara mirë, gazetarët duhet të nxisin ndërgjegjësimin, se çdo njeri mund të japë kontributin e tij. Dhe njerëzit janë pa diskutim të gatshëm të ndërmarrin diçka.

Edhe kjo rezulton nga studimi Synovate, deklaron Steve Garton:"Ne kemi parë një dëshirë të madhe për ndryshim, edhe sinjalet për këtë: njerëzit i riciklojnë mbeturinat e tyre. Njerëzit kursejnë ujë, kursejnë energji elektrike. Në nivelin personal njerëzit bëjnë atë, që e konsiderojnë të mundur."

Sipas Synovate shumë njerëz janë madje të gatshëm që për ambjentin të shpenzojnë më shumë para: "Rezulton se rreth dy të tretat e njerëzve janë të gatshëm që të paguajnë një shumë të caktuar për produkte të gjelbra, për produkte që prodhohen pa pesticide ose të tilla me gjurmë të vogla të gazrave CO2."

Synovate Climate Change Study
Synovate Climate Change StudyFotografi: DW

Politika ecën përpara me ritëm breshke

Përballë këtyre rezultateve, Gartoni çuditet që megjithë gatishmërinë e popujve në vendet përkatëse, politika vazhdon të ecë përpara me ritëm breshke. Edhe diçka tjetër tregon studimi i Synovate: të anketuarit në vendet në zhvillim janë në përgjithësi optimistë, se njerëzimi mund ta kthejë timonin në çështjet e ambjentit dhe ta shpëtojë klimën. Ndërsa në vendet e industrializuara, qëndrimi është më pesimist.

Pionieri zviceran i fluturimeve solare, Bertrand Piccard e përmendi këtë temë në çelje të "Deutsche Welle Global Media Forums". Njerëzit, tha Piccard, janë ngopur së konfrontuari vetëm me të dhëna dëshpëruese për problemet dhe koston e ndryshimit të klimës. Në vend të simptomave duhen parë shkaqet, kërkoi Piccard: "Shkaku i problemit konsiston në varësinë tonë nga lëndët djegëse fosile. Por për këtë varësi ka shumë zgjidhje. Dhe ato janë edhe me përfitim. Ato do të sjellin zhvillim të ekonomisë. Kjo është një rrugë, për të hapur tregje të reja dhe për të krijuar vende të reja pune."

Piccardi ka ndërmend të tregojë se çfarë është e mundur me teknologjitë e reja, duke qenë njeriu i parë që me një avion që punon me energji solare të përshkojë pa ndaluar globin.

Autor: Mathias von Hein/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama