Ndryshimi i klimës në fushatën elektorale në SHBA
3 Nëntor 2012Apeli i kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut ishte i shkurtër dhe nuk linte vend për keqkuptime. "Zgjidhni këtë nëntor një president, i cili merret me ndryshimin e klimës," shkroi ish-republikani Michael Bloomberg në Twitter. Obama ka rol udhëheqës në çështjen e ndryshimit të klimës, shkruan kryetari i bashkisë së Nju Jorkut në faqen e tij në internet "Bloomberg.com". Dhe gazeta "Businessweek", që i përket atij 100 përqind duke pasur parasysh uraganin Sandy doli me titullin: "Natyrisht që këtu kemi të bëjmë me ngrohje të tokës." Televizioni CNN informoi:
"Lajm i minutës së fundit: Obaman e mbështet kryetari i bashkisë së Nju Jorkut. Bloombergu e lëvdon presidentin për qëndrimin e tij ndaj ndryshimit të klimës dhe ngrohjes së tokës."
Ne kemi nevojë për udhëheqje në Shtëpinë e Bardhë, shprehet kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut. Obama ka ndërmarrë në vitet e fundit hapa të rëndësishëm për minimizimin e emetimit të gazrave të dioksidit të karbonit. Ai ka ndërmarrë masa të rrepta konsumi për veturat dhe kamionët, thekson Bloombergu.
Veç kësaj, në fjalimin e tij para kongresit të partisë së demokratëve Obama bëri temë edhe ndryshimin e klimës:
Tallje nga Romney për klimën
"Ndryshimi i klimës nuk është shaka. Periudha më të gjata thatësie, përmbytje dhe djegie shkatërrimtare pyjesh nuk janë shaka."
Me politikën e Obamas ndaj klimës qe tallur rëndshëm më parë sfiduesi Romney në kongresin e Partisë Republikane në Tampa.
"Obama premtoi se do ta ngadalësojë rritjet e nivelit të ujit të detit. Presidenti i SHBA e paraqiti veten si shërues të planeteve. Në dallim nga kjo, premtimi im për ju është thjesht: ndihmë për ju dhe për familjet tuaja."
Vërtet që në periudhën e tij në post si guvernator i Massachusettsit edhe Mit Romney e pati bërë ndryshimin e klimës një temë qendrore. Por për fat të keq Romney u tërhoq nga ky kurs, kritikon kryetari i bashkisë më me influencë dhe më i njohur i Amerikës. Që pikërisht ky biznesmen miliarder dhe ish-republikani Bloomberg mbështet Obaman, kjo është një goditje e rëndë për Mitt Romney-n. Këtij i mbetet tani vetëm mbështetja e dyshimtë e Donald Trumpit. Uragani e bëri ndryshimin e klimës sa hap e mbyll sytë temë të fushatës elektorale. Në asnjë nga tri duelet televizive midis Obamas dhe Romneyt kjo fjalë nuk u përmend. Shpallja tabu e kësaj fjale, që përmendej në çdo debat televiziv presidencial që nga viti 1988, tani ka marrë fund.