Specie të reja në Detin e Veriut
6 Shtator 2012Ishulli gjerman në Detin e Veriut Helgoland. Hulumtimet per detin kanë traditë këtu, shpjegon drejtorja e Institutit Biologjik në Helgoland Karen Wiltshire. Që në vitin 1873 janë testuar këtu mostra uji për temperaturën dhe përmbajtjen e kripërave. Nga vëzhgimet që u bëjnë kafshëve dhe bimëve që jetojnë në ujë që nga vitet 1960 studiuesit thotë Wiltshire kanë konstatuar, se me ndryshimin e klimës edhe temperatura mesatare e ujit është rritur me 1,7 gradë celsius.
Deti i Veriut po ngrohet
Së pari biologët dhe ihtiologët vunë re se disa kafshë që pas dimrit zakonisht vdisnin, tani mbijetojnë. Ata fillonin në pranverën e hershme që të ushqehen me bimë ujore para se ato të arrinin rritjen e duhur. Edhe drejtimi i erës dhe i rrymave detare në oqeane kanë ndryshuar. Gjithnjë e më shumë në Detin e Veriut derdhet nga Atlantiku ujë i qartë dhe shumë i kripur. Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, ekipi i Karen Wiltshire ka vëzhguar edhe një fluks organizmash të shumta që rriten në ujëra të ngrohtë.
Heinz-Dieter Francke ka një çerek shekulli qe merret me jetën e qenieve detare në Institutin Biologjik në Helgoland. Ai tregon se vihet re një "ndryshim shumë i madh në spektrin e specieve". Gjatë kësaj periudhe në rajon janë shfaqur rreth gjashtëdhjetë specie të reja thotë ai: gaforre, krimba, peshq dhe kandil deti, që më parë nuk ekzistonin në këto zona.
Disa prej tyre i kanë sjellë njerëzit pa dashje nga zonat e largëta me klimë të ngjashme. Por shumica dërrmuese janë lloje speciesh që u pëlqen ngrohtësia dhe kanë ardhur dhe përhapur vetë nga jugu nëpër Kanalin e Lamanshës për në Detin e Veriut duke përfituar nga temperatura e ngrohta të ujit.
"Ata i pëpijnë të gjitha"
Biologët zakonisht kënaqen kur vënë re një rritje në biodiversitetit, thotë Heinz-Dieter Francke. Por ndryshimi i klimës nuk ndikon njëlloj mbi të gjithë banorët e deteve dhe oqeaneve. Nëse specie që janë të ndërvarur nga njëra-tjetra - pra kafshët grabitqare dhe ato që bien pre e tyre - shfaqen edhe në raste të tjera, disa kafshëve u mungon ushqimi. Edhe zakonet e të ushqyerit të disa kandilave deti që kanë emigruar në këto zona e ndryshojnë gjithashtu ekosistemin, Karen Wiltshire shton: "Ato nuk bëjn naze, hanë çdo gjë, pa marrë parasysh nëse janë vezë peshku apo kandila të tjerë."
Ndryshimi i klimës ka efekt në tërë sistemin, nga organizmat më të vogla, deri tek peshqit e mëdhej dhe zogjtë e detit thotë Heinz-Dieter Francke. Në fund të fundit si hallkë e këtij zinxhiri është i prekur gjithashtu edhe njeriu. Disa nga peshq apo karkalecë deti, që janë një ushqim mjaft i preferuar për njerëzit, po zhvendosen në veri, ku uji është i ftohtë.
Shumica e popullsisë botërore që është gjithnjë në rritje jeton në zona bregdetare. Prandaj, ndikimi i ndryshimeve klimaterike në zonat bregdetare është dhe më serioz, thotë drejtorja e Institutit Biologjik në Helgolan Wiltshire Karen. Prandaj vëzhgimet e vazhdueshme dhe afatgjata kërkimore si këto në Helgoland janë më të rëndësishme se kurrë për shkak të shpejtësisë, me të cilën depërtojnë organizmat e reja në ekosistem.