Ndryshim strategjie - Fytyra e re e opozitës maqedonase
27 Gusht 2011Partitë opozitare maqedonase kanë formuar një front të përbashkët veprimi, meqë vlerësojnë se vetëm në këtë mënyrë do të jenë më të suksesshëm “për të luftuar” pozitën. Pas zgjedhjeve të parakoshme parlamentare, qeveria Gruevski po qëron hesapet politike dhe eliminon të gjithë ata që mendojnë ndryshe apo kritikojnë qeverinë, thotë opozita. Këtu bën pjesë, sipas saj, arrestimi i politikanëve opozitarë, mbyllja e mediumeve, keqpërdorimi i procesit të lustrimit janë vetëm disa nga veprimet e qeverisë që ajo i ndërmer ndaj personave që mendojnë ndryshe nga ajo.
Opozita e re duhet të jetë konstruktive
Fronti opozitar i bënë thirrje Gruevskit që t'i ndërpresë veprime të tilla politike sepse në të kundërtën opozita do të përdor të gjitha mjetet për një luftë politike dhe demonstrimin e rezistencës qytetare. Në vendet demokratike, opozita jo vetëm që luan rolin e korrigjuesit të pushtetit, por ajo në të shumtën e rasteve u prin proceseve. Kjo praktikë nuk njihet pothuajse aspak në Maqedoni thotë politikologja Sonja Stojadinoviq.
“Edhe partitë shqiptare edhe ato maqedonase duhet të ndryshojnë strategjinë e veprimit, të ballafaqohen me problemet e qytetarëve. Propozimet e opozitës për zgjidhjen e problemeve duhet t'i imponohet pushtetit, vetëm në këso situatash mund të flasim për opozitë konstruktive”, vlerëson Sonja Stojadinoviq.
Bashkimi i opozitës vlerësohet pozitivisht
Fronti opozitar synon të jetë zëdhënës i denjë i kërkesave të qytetarëve që nuk pajtohen me politikat e qeverisë , thotë Sanja Mirakovska nga Fronti opozitar. “Opozita ka kapacitet të ndërmarrë hapa dhe t'i tregojë pozitës se në shoqëri duhet të respektohen vlerat demokratike dhe se nuk lejohet eliminimi i atyre që mendojnë ndryshe nga mazhoranca”, vlerëson Mirakovska.
Ndërsa analisti politik Sefer Tahiri thotë se bashkimi i opozitës është një vlerë për zhvillimin e demokracisë në përgjithësi, por edhe për zhvillimin e shoqërisë në Maqedoni në kuptimin e avancimit të pluralizmit politik.
“Demokracia mund të funksionojë dhe ka kuptim vetëm nëse opozita është e fuqishme dhe kur ajo është korrektore e gabimeve eventuale ose lëshimeve që mund të bëjë pushteti, prandaj në këtë drejtim e shoh si hap të domosdoshëm këtë front opozitar”.
Ku qëndron opozita shqiptare në këto zhvillime?
Opozita shqiptare është e dobët dhe shumë inerte në kuptimin e përballjes me politikat dhe vendimet e pushtetit, vlerëson Sefer Tahiri. “Duhet edhe opozita të ofrojë modelet e veta, rrugët, zgjidhjet alternativat se si mund të arrihet deri tek barazia faktike dhe juridike mes dy komuniteteve më të mëdha." PDSH si parti opozitare paralajmëron një sërë ofensivash në vjeshtë kundër siç vlerëson ajo si pasojë e vendimeve të gabuara të qeverisë.
Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Lindita Arapi