Ndikim politik - pse dështoi zgjedhja e Avokatit të Popullit në Kosovë?
13 Shkurt 2009Institucioni i Avokatit të Popullit u krijua menjëherë pas luftës në Kosovë me një rregullore të posaçme të administratës së Kombeve të Bashkuara. Avokati i Popullit, apo siç njihet "Ombudspersoni", i parë i Kosovës, ishte një avokat ndërkombëtar nga Polonia, Marek Antonio Novicki. Për disa vjet radhazi ai e ushtroi këtë funksion deri në vitin 2006, kur institucioni i Avokatit të Popullit kaloi në kompetencë të autoriteteve kosovare. Ushtrues detyre u emërua Hilmi Jashari. Ishte paraparë që ky emërim të ishte shumë i përkohshëm. Nuk ndodhi kështu. Pas tre vitesh, parlamenti i Kosovës nuk e ka zgjedhur ende Avokatin e Popullit. Katër herë radhazi, zgjedhja e Avokatit të Popullit u votua në parlament, por asnjëherë nuk arriti numrin e mjaftueshëm prej 61 votave.
Mozgjedhja e Avokatit të Popullit në dëm të sundimit të ligjit
Hilmi Jashari, ushtrues detyre i Avokatit të Popullit, ishte një nga tre kanditatët për këtë post. Zvarritjen e këtij procesi ai e konsideron shumë të dëmshëm për institucionin e Avokatit të Popullit dhe për vetë demokracinë në vend.
Jashari: "Për këto tri vjet asnjë raport i Avokatit të Popullit që është dërguar në kuvend nuk është debatuar. Kjo zvarritje ndikon në administrimin, në sundimin e ligjit dhe në realizimin e të drejtave të qytetarëve. Zhagitja e përzgjedhjes së Avokatit të Popullit e ka pamundësuar realizimin e shumë projekteve në këtë institucion që duhet të jetë i pavarur."
Shumë organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë kritikuar institucionet e Kosovës për mungesë përgjegjësie në zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Zëra të ndryshëm në opinionin publik të Kosovës thonë se ky proces është i politizuar. Edhe Hilmi Jashari është i këtij mendimi. Në proces ka ndikime politike, mendon ai. Jashari: "Unë dua të them se funksionimi i këtij institucioni është edhe një parametër i zhvillimit të shkallës së demokracisë në një vend. Në demokracitë e hershme ka tendenca që të ketë kontroll në një mekanizëm të tillë dhe pikërisht këtu mendojë se qëndron arsyeja e zvarritjes së procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Edhe në konkurset e mëhershme janë vërejtur tendenca të tilla që janë raportuar nga shumë organizata që angazhohen për të drejtat e njeriut."
Kundërshtimi i institucioneve
Kundër këtij konstatimi është komisioni parlamentar për legjislacionin dhe gjyqësinë, i ngarkuar që të menaxhojë procesin në përzgjedhjen e kandidatëve për Avokat të Popullit. Bahri Hyseni, është kryetar i këtij komisioni. "Nuk ka fare politizim. Asnjë ndikim politik nuk ka qenë as tek anëtarët e komisionit e as në vetë komisionin që të kemi një propozim për dikë apo ndonjë kandidate tjetër", thotë Bahri Hyseni.
Pas dështimit për të katërtën herë të zgjedhjes së Avokatit të Popullit, konkursi mbetet i hapur. Procesi sërish duhet të nisë nga fillimi. Fillimisht duhet të aplikojnë kandidatët, pastaj është komisioni parlamentar për gjyqësinë dhe legjislacionin ai që duhet të përzgjedhë në rrethin e ngushtë tre kandidatë që do të votohen në parlament. Seanca e radhës akoma nuk është caktuar.