Ndihmë që nuk mbërrin në vend - Junta birmaneze pengon ndihmat
9 Maj 2008Atyre u refuzohet viza e hyrjes në Birmani, ndërkohë që ndihmat duhet të shpërndahen prej tyre. Junta birmaneze ka vendosur të mos lëshojë viza duke pretenduar se është vetë në gjendje t´i shpërndajë ndihmat.
Me kamionë të vjetër ushtarakët në Birmani përpiqen të depërtojnë në Jug të vendit, zona më e prekur prej katastrofës. Por ata dështojnë dhe nuk janë në gjendje ta japin ndihmën në mënyrë profesionale. Rrugët janë shkatërruar, po ashtu si dhe anijet e shumica e shtëpive. Një i ri përshkruan katastrofën që përjeton çdo çast: "Të tre fëmijët e mi kanë humbur jetën prej vërshimeve edhe gruaja. Vetëm unë munda të shpëtoj."
Një tjetër vendas ndërhyn në bisedë dhe tregon: "50.000 mijë njerëz kanë gjetur vdekjen vetëm në këtë rajon."
Pavarësisht situatës dramatike për shumicën e viktimave ende nuk ka shanse që ato të marrin shpejtë ndihmat e nevojshme. Njerëzit po dëshpërohen, po humbasin fuqitë në pritje të ujit të pijshëm, ushqimeve dhe medikamenteve. Punonjësit e organizatave të huaja të ndihmës janë në pritje, por junta nuk i lejon ata të hyjnë në vend. Një zëdhënës i programit të OKB-së ndihma për urinë: "Ne nuk kemi akses tek njerëzit. Ky është problemi më i madh. Situata po përkeqësohet nga dita në ditë. Qeveria e Birmanisë duhet ta kuptojë, se sa e rëndësishme është që të lejojë organizatat ndërkombëtare në vend."
Disa avionë transportues që kanë sjellë tonelata me ndihma presin në vendet fqinjë. Autoritetet birmaaneze i zvarrisin procedurat e dhënies së vizës apo të lejes së fluturimit për avionët transportues.