1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ndarje pa paqe? Sudani i Jugut i pavarur

Të shtunën (09.07.) Juba, në Sudanin e Jugut do të përjetojë diçka të vecantë: do të jetë kryeqyteti më i ri i botës. Republika e Sudanit të Jugut do të shpallë pavarësinë.

Sudani i jugut - prova për paradën e pavarësisë

Sudani i jugut - prova për paradën e pavarësisë

Ajo për të cilën druheshin shumë vëzhgues për shumë vjet ndodhi: pak para pavarësisë së Sudanit të Jugut kanë shpërthyer përleshje të ashpra midis trupave në Veri dhe Jug të vendit, veçanërisht në rajonet e kufirit Veri-Jug, si Abyei dhe Kordofani i Jugut. Çështje të rëndësishme, si përkatësitë territoriale mbeten ende të hapura dhe mbeten të diskutueshme në popull. Në fund të majit, qeveria e Veriut pushtoi rajonin e pasur me naftë Abyei. Për këtë rajon pretendime kanë të dyja palët. Dhe megjithëse Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendosi që ta çmilitarizojë këtë rajon, nuk është e qartë nëse helmetkaltrit do të jenë në gjendje të ruajnë armëpushimin.

Referendum për pavarësinë

Referendum për pavarësinë

Faisal Mohamed Sali, ekspert i Sudanit nga Khartumi mendon: "Palët e konfliktit janë jo vetëm në rajonet e Veriut dhe të Jugut. Ka grupe popullore, ato të Misseriayas nga Veriu dhe të Dinka-Ngok nga Jugu. Ato janë pjesë e problemit, por duhet të bëhen pjesë e zgjidhjes. Nëse qeveritë bien dakord pa marrë parasysh mendimin e grupeve popullore, atëherë dakordimi nuk vihet në jetë."

Pushtimi i Abyeisit, bëri që para së gjithash mijëra vetë nga rajoni të arratisen në jug. Veç tyre, deri në fund të vitit priten më shumë se 100 mijë vetë nga veriu. Të gjithë ata vijnë me shpresa të mëdha dhe shpresojnë të jetojnë në siguri. Kjo në një kohë kur jugu nuk mund të ofrojë shumë, sepse atij i duhet që më parë ta ndërtojë infrastrukturën e tij. Gjithçka duhet të krijohet ende. Pas 50 vjetësh luftë me Veriun nuk ka thuajse fare rrugë, nuk ka furnizim me ujë që të funksionojë, pak elektricitet dhe vetëm një rrjet të dobët shërbimesh. Megjithatë, ekziston shpresa për të ardhmen. Gazetarja Josephine Achiro nga Juba i njeh mirë problemet e Sudanit të Jugut: "Ne e fillojmë vërtet nga zeroja. Unë mendoj se vendi im dhe popullata e tij, si dhe qeveria, do të punojnë me të gjitha fuqitë, për të sjellë investime të huaja në vend. Njerëzit do të punojnë tokën pjellore dhe ne kemi naftën e Abyeit. Të gjitha këto do të na ndihmojnë. Ne jemi të gatshëm të fillojmë nga zeroja."

Referendum për pavarësinë

Referendum për pavarësinë


Edhe në Kordofanin Jugor, në kufi me Sudanin e Jugut, në fillim të qershorit shpërthyen luftime midis ushtrisë së Sudanit të Veriut dhe Ushtrisë Popullore Çlirimtare sudanezojugore. Në këtë rajon, i cili është pjesë e veriut, jetojnë si grupet popullore afrikane Nuba dhe Dinka, ashtu edhe grupe të ndryshme me origjinë arabe. Nubat dhe Dinkat luftuan për vite të tëra në anën e jugut. Prandaj mosbesimi nga ana e Khartumit ndaj tyre është i madh. Kahlid Abdu Dahab, nga parlamenti panafrikan, një nënorganizatë e Bashkimit Afrikan, mendon: "Ndryshimet kulturore janë bërthama e problemit. Ky rajoni i Kordofanit jugor mbeti për një kohë të gjatë i pazhvilluar. Prandaj nuk duhet ngatrruar problemi me atë të Abeyit, një rajoni të diskutueshëm midis Veriut dhe Jugut."

Autor: Lina Hoffmann/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama