1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndahet nga jeta ish-kryeministri izraelit Ariel Sharon

Andreas Gorzewski / Vilma Filaj-Ballvora11 Janar 2014

Si gjeneral dhe politikan ai u dha tonin konservatorëve dhe për dekada me radhë edhe historisë izraelite. Pas tetë vjetësh në koma ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare ish-kryeministri i Izraelit Ariel Sharon.

https://p.dw.com/p/1Ap4d
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ariel Sharon - me pseudonimin Arik - shpesh e kanë cilësuar si skifter, luftëtar i regjur apo si përfaqësues i vijës së hekurt. Nisur nga titulli i autobiografisë së tij të publikuar në anglisht ai ishte një "warrior" (luftëtar). Në varësi të perspektivës reagimet ndaj tij ishin nga njëra anë me mirënjohje dhe admirim nga ana tjetër refuzuese deri madje edhe të ngarkuara me urrejtje. Për shumë izraelitë ai ishte një "hero i luftës së Jom-Kippur-it". Për shumë palestinezë ai ishte bashkë me një udhëheqës libanez të milicëve "kasapi i Sabrasë dhe Shatilasë".

Sharon lindi në vitin 1928 me emrin Ariel Sheinermann në afërsi të Tel Aviv. Prindërit e tij ishin hebrej nga Europa Lindore, të cilët mbiemrin e familjes e ndryshuan duke zgjedhur si mbiemër Sharon, sipas luginës me të njëjtin emër. Jeta e Sharonit është e lidhur ngushtë me historinë e shtetit të Izraelit. Në luftën e pavarësisë në vitin 1948 ai luftoi si prijës i një brigade infanterie kundër trupave arabe. Në vitin 1953 ai krijoi një njësi speciale për sulmet e hakmarrjes pas atentateve të luftëtarëve palestinezë. Në luftën e Jom-Kippur-it në 1973 kalimi i guximshëm i tij me një njësi tankesh në kanalin e Suezit - gjë që me sa duket e ka kryer me kokën e vet - ndihmoi në fitoren e izraelit ndaj Egjiptit.

Në foto Ariel Sharon në vitin 1967
Në foto Ariel Sharon në vitin 1967Fotografi: picture-alliance/dpa

Nga oficer në politikan

Si shumë politikanë të tjerë drejtues në Izrael Sharoni karrierën e vet ushtrake e shfrytëzoi si një trampolinë për karrierën politike. Ai fitoi një mandat parlamentar në radhët e partisë konservatore Likud dhe ishte fillimisht ministër i Bujqësisë. Përveç këtij dikasteri ai ka drejtuar edhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Në këtë periudhë nisi edhe ndërhyrja në Liban. Qëllimi i kësaj ndërhyrjeje ishte dëbimi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) nga vendi fqinj në Veri. Një njësi milicësh të krishterë libanezë në aleancë me Izraelin pas tërheqjes së PLO-së sulmoi kampet e refugjatëve Sabra dhe Shatila në Bejrut. Milicët vranë atje qindra palestienzë. Kjo masakër, që u krye në territorin e kontrolluar nga Izraeli, shkaktoi një valë ndërkombëtare proteste.

Hetime pa rezultat

Një komision hetimor izraelit e gjeti bashkëfajtor Sharonin për këtë masakër. Në vitin 1983 ai dha dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes, megjithatë qëndroi si ministër pa portofol në kabinet. Në Belgjikë u hap një proces hetimor ndaj Sharonit për akte dhune, por hetimet nuk u çuan deri në fund. Sistemi belg i drejtësisë asokohe e mundësoi një proces të tillë në bazë të të ashtuquajturit parimi i drejtësisë botërore.

Por në afatgjatë ky proces nuk e dëmtoi karrierën politike të tij. Sharoni në vitet që pasuan drejtoi ndë rtë tjera Ministrinë e Jashtme, të Tregtisë dhe të Ndërtimit. Në vitin 2001 ai u zgjodh kryeministër. Pas luftrave të brendëshme për pushtet në partinë e tij në 2005 ai dha dorëheqjen si kryeministër dhe u shkëput nga blloku Likud, për të krijuar partinë e re Kadima.

Shteti i pavarur palestinez fillimisht i refuzuar

Kundrejt palestinezëve Sharon prej kohësh u profilizua si njeri i pakompromis i vijës së hekurt. Sigurinë për Izraelin ai e cilësonte vazhdimisht si preokupimin kryesor të tij. Një shtet të pavarur palesitnez ai e shihte me sy kritik. Ndaj ai ishte i distnacuar ndaj bisedimeve për autonomi me palestinezët. Pas një serie sulmesh kamikaze të palestinezëve ndaj izraelitëve Sharoni bëri përgjegjës për dhunën presidentin palestinez Jaser Arafat. Pavarësisht kritikave ndërkombëtare ai e vendosi Arafatin në arrest shtëpie në Ramallah.

Gjatë një takimi me presidentin palestinez Jaser Arafat
Gjatë një takimi me presidentin palestinez Jaser ArafatFotografi: AP

Sharoni nuk stepej prej provokimeve. Kështu ai mori një shtëpi në pjesën arabe në qendrën historike të Jeruzalemit. Ai dha shkas për trazira në shtator 2000 me vizitën demonstrative në malin e Tempullit në Jeruzalem, që është simboli më i shenjtë i besimit islam. Konfrontimet në rrugë morën përmasat e një intifade. Kjo kryengritje palestineze zgjati katër vjet e gjysmë.

Hiqen vendbanimet hebreje në Rripin e Gazës

Sharoni më vonë u tërhoq prej qëndrimit të tij këmbëngulës. Pikërisht luftëtari i përhershëm udhëzoi tërheqjen ushtarake izraelite si dhe heqjen e vendbanimeve hebreje nga Rripi i Gazës. Në autobiografinë e tij ai thekson, se hebrejtë dhe arabët mund të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. Sipas vlerësimit të ish-ambasadorit izraelit në Gjermani, Avi Primor, ish-kryeministri megjithatë i ka mbetur besnik bindjeve të veta. "Ariel Sharon nuk ka hequr dorë prej ideologjisë së tij dhe as nuk e ka ndryshuar politikën e tij e madje as instiktet e veta", shkruan Primor në revistën "Cicero". Sharoni i ka pranuar si realist rrethanat e ndryshuara.

Më 4 janar 2006 kryeministri pësoi një apopleksi. Që nga ajo kohë ai ndodhej në gjendje kome. Sot, më 11.01.2014 Ariel Sharon ndërroi jetë në moshën 85 vjeçare.