Ndërpritet procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoni
11 Tetor 2011Anëtarët e komisionit shtetëror për regjistrimin e popullsisë në Maqedoni kanë dhënë dorëheqje kolektive me çka procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoni është ndërprerë.
Dorëheqja kolektive vjen pas informacionit të anëtarëve shqiptarë të komisionit regjistrues, se në 8 ditët e para të realizimit të regjistrimit ishte arritur të regjistrohej vetëm një e katërta e popullsisë. Në rajonin e Tetovës të banuar me shqiptarë ishin regjistruar vetëm 3.6 për qind e qytetarëve. Si rajone ku është paraqitur rreziku për mosregjistrimin e qytetarëve janë theksuar Prilepi dhe Manastiri.
Nënkryetari i Komisionit shtetëror për regjistrim Bujar Osmani thotë se komisioni ka konstatuar se nuk mund të tejkalohen dallimet në intepretimin e tre dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me regjistrimin e qytetarëve që gjenden jashtë Maqedonisë, për personat që kanë të drejtë të japin të dhënat për ata qytetarë që gjenden jashtë vendit, dhe dispozita që ka të bëjë me dokumentet e vlefshme për regjistrim. Për shkak të interpretimeve të ndryshme të ligjit për regjistrim, midis regjistruesve në teren dhe komisioneve rajonale, anëtarët e komisionit kanë vlerësuar se rezultatet nuk do të reflektojnë realitetin demografik .
"Të gjithë anëtarët e komisionit dhamë dorëheqje për të kërkuar ndërprerjen e procesit, që t'i japim një shans dikujt tjetër të kryejë këtë operacion dhe fatin e regjistrimit ta marrë në dorë qeveria dhe parlamenti i Maqedonise”, - shprehet Bujar Osmani.
Drejtoresha e Entit shtetëror të Statistikave, Bllagica Novkovska, thotë se ky institucion duhet të marrë vendim urgjen se si të veprohet dhe në ç'mënyrë të grumbullohet materiali, i cili është i shpërndarë në terren. Dorëheqja kolektive e anëtarëve të komisionit shtetëror për regjistrim pritet të jetë temë kryesore në seancën e jashtëzakonshme qeveritare, ku do të vendoset lidhur me hapat e mëtejshëm, për procesin e regjistrimit të popullsisë, që duhej të përfundonte me 15 tetor.
Ndërkohë, anëtarët shqiptarë në komisionin për regjistrim, vlerësojnë se gjasat për ripërtëritjen e procesit të regjistrimin nuk ekzistojnë. Sipas tyre procesi mund të konstatohet përfundimisht i ndërprerë, dhe për këtë arsye ata kërkojnë fillimin e një procesi të ri, që nënkupton rishqyrtimin e ligjit për regjistrim në parlament.
Autor: Fatos Musliu / Shkup
Redaktoi: E. Xhani