1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërprerje apo jo e bisedimeve Maqedoni- Greqi?

19 Gusht 2010

Në Maqedoni janë shpeshtuar zërat për ndërprerjen e bisedimeve midis Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit. Më e zëshme është diaspora maqedonase. Autoritetet thonë se nuk kanë ndër mend të ndërpresin bisedimet.

https://p.dw.com/p/OrQP
Konflikt për emrin midis Greqisë dhe Maqedonisë
Konflikt për emrin midis Greqisë dhe MaqedonisëFotografi: AP/DW Fotomontage

Disa organizata të diasporës maqedonase, politikanë dhe profesorë universitarë në vazhdimësi po bëjnë thirrje për ndërprerjen e negociatave midis Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. Kryetari i diasporës së bashkuar maqedonase për SHBA-në dhe Kanadanë, Metodija Kollovski thotë se në parim diaspora mbështet angazhimet e qeverisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. “Diaspora është kundër zhvillimit të bisedimeve për ndërrimin e emrit të Maqedonisë, andaj ne kërkojmë që urgjentisht të ndërpriten bisedimet me Greqinë për emrin,” thotë Kollovski.

Kompromis apo kapitullim?

Një ndër ata që kërkojnë ndërprerjen e bisedimeve është edhe ish ministri i jashtëm i Maqedonisë, Sllobodan Çashule.“Bisedimet për çështjen e emrit janë rezultat i politikës çorientuese dhe zënkave brenda politikës maqedonase. Greqia këtë situatë e ka shfrytëzuar dhe ka imponuar negociatat për ndërimin e emrit,” thotë Sllobodan Çashule.

Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski dhe ai grek Jorgos Papandreou
Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski dhe ai grek Jorgos PapandreouFotografi: MIA

Profesori universitar Lubomir Cucullovski, thotë se politikanët maqedonas kanë bërë gabim të papërmirësueshëm që kanë pranuar të bisedojnë për ndërrimin e emrit. “Nëse dikush mendon se kompromis do të thotë ndërrimi i emrit është në gabim të madh, kjo nuk ka të bëjë asgjë me kompromisin, në fakt me këtë nënkuptohet kapitullim,” thotë Cucullovski.

Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski thotë se qeveria nuk ka ndërmend t`i ndërpresë negociatat. “Unë nuk do të thoja se do të marrim një vendim për ndërprerjen e negociatave për çështjen e emrit, por në këto bisedime do të jemi shumë të kujdesshëm që të mos i dëmtojmë interesat shtetërore dhe kombëtare të Maqedonisë,” vlerëson Gruevski.

Shqiptarët pro bisedimeve

Propozimet për ndërprerjen e bisedimeve me Greqinë për çështjen e emrit që vijnë nga disa qarqe të caktuara maqedonase kundërshtohen nga shqiptarët. “Nuk posedojmë informata nëse qëndron apo jo dikush pas shoqatave të diasporës Maqedonase. Vlerësoj se interesimi i Maqedonisë është që të jetë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, pasi për Maqedoninë alternativë tjetër nuk ka,” vlerëson Rafis Haliti funksionar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim, parti që bën pjesë në koalicionin qeveritar.

Metju Nimic, mediatori i KB
Metju Nimic, mediatori i KBFotografi: Petr Stojanovski

Analisiti politik Mahi Nesimi vlerëson se pas qëndrimeve të propoziomeve të diasporës maqedonase mund të qëndrojë struktura shtetërore. Sipas tij ndërpreja e bisedimeve për çështjen e emrit për politikën Maqedonase do të ishte një hap vdekjeprurës. “Është një gjë jashtëzakonisht e dëmshme, vdekjeprurëse për Maqedoninë sepse ndërpreja eventuale e bisedimeve me Greqinë do të thotë hyrje e Maqedonisë në një reeth nga i cili nuk dihet se kur mund të dilet dhe si mund të dilet,“ shprehet Mahi Nesimi.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama