1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërhyrje humanitare apo mosprekje e kufinjve territorialë

23 Mars 2009

Më 24 mars 1999 Evropa gjendej para një katastrofe të madhe humanitare. Mbi 30 000 vetë ishin larguar nga vatrat e tyre brenda Kosovës dhe mijëra të tjerë ishin larguar në drejtim të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.

https://p.dw.com/p/HIE2
Tym në Uzice, 200 km në jugperëndim të Beogradit
Tym në Uzice, 200 km në jugperëndim të Beogradit - Më 24 mars 1999 Evropa gjendej para një katastrofe të madhe humanitare.Fotografi: Picture-alliance / dpa

Bisedimet për paqe në Rambuje kishin dështuar dhe vëzhguesit ndërkombëtarë njoftonin për dëbime të qëllimshme dhe vrasje të civilëve. Ç'pasoja patën përvojat e luftës së Kosovës për të drejtën ndërkombëtare civile dhe raste të tjera shkëputjeje, në vitet e fundit?

Mars 1999: E sensibilizuar prej përvojave në Kroaci dhe në Bosnje dhe Herzegovinë, NATO-ja ishte e vendosur, që pas dështimit të përpjekjeve për paqe t'i kundërvihej ndonjë fushate të mundshme spastrimesh etnike. Për herë të parë në historinë e NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i saj Javier Solana, urdhëroi kryekomandantin e NATO-s për Evropën, Wesley Clark që të ndërhynte ushtarakisht. Kjo ndërhyrje e parë humanitare e Aleancës përbënte njëkohësisht edhe një terren të ri në fushën e së drejtës ndërkombëtare civile. Kritikët e quajtën atë shkelje të së drejtës ndërkombëtare civile, sepse nuk pati një mandat të posaçëm të Këshillit të Sigurimit dhe se NATO-ja po vepronte jashtë territorit të vendeve të Aleancës, duke cënuar integritetin territorial të Jugosllavisë.

Tank i ushtrisë jugosllave në Kosovë
Ushtria jugosllave në Drenicë - 1999Fotografi: AP

Përkrahësit e sulmit mendonin, se ato legjitimoheshin prej një sërë rezolutash të Këshillit të Sigurimit, si dhe paaftësisë së tij për të kërkuar me forcë zbatimin e tyre. Edhe pse OKB-ja kishte kërkuar prej Beogradit tërheqjen e trupave dhe përfundimin e luftimeve, regjimi Milosheviçit nuk iu përgjigj atij.

Joseph Marko, specialist i së drejtës ndërkombëtare civile në Universitetin e Gracit në Austri, beson se ndërhyrja në Kosovë vërtet nxorri në pah dobësitë e së drejtës ndërkombëtare civile, por nga ana tjetër dha impluse të rëndësishme për zhvillimin e saj: "Kosova ishte sigurisht një pikë kthese, e cila e çoi më tej të drejtën ndërkombëtare civile. Është e qartë se për shkak të së drejtës së vetos të anëtarëve të përhershëm, Këshilli i Sigurimit nuk është vërtet i aftë për të vepruar në raste krizash të tilla. Ndërhyrja humanitare e NATO-s, dha sigurisht një implus të ri vendimtar për ta diskutuar sërish doktrinën e sovranitetit dhe për të diskutuar në lidhje me të.“

Megjithatë ai është i mendimit, se e drejta nërkombëtarë civile vazhdon të jetë ende shumë larg ofrimit të një qëndrimi të qartë: "Në vitin 1999 shtrohej pyetja, nëse ndërhyrja humanitare është legale në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare civile. Në këtë pikë, unë vazhdoj ta shoh problemin edhe sot, sepse kjo pyetje nuk është sqaruar deri në fund."

Ish - presidenti serb Slobodan Miloseviç, në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.
Ish - presidenti serb Slobodan Miloseviç, në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.Fotografi: AP

Të paktën tani po diskutohet në mënyrë intensive, në lidhje më çështjen nëse shtetet mund t`i shijojnë të drejtat e tyre të sovranitetit, vetëm nëqoftëse ato përfaqësojnë të gjithë popullsinë e tyre civile dhe e mbrojnë atë. Si rrjedhojë, përndjekja e ndonjë minoriteti etnik apo fetar mund të çojë në atë që këto shtete t`i humbasin këto të drejta. Por, realiteti është ende larg kësaj teorie: "E drejta ndërkombëtare civile vazhdon të bazohet në parimin e të njëjtit sovranitet të shteteve, sikurse i përgjigjet gjendjes së konfliktit që mbrohet edhe prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.“

Franz-Lothar Altmann, ekspert për Ballkanin në Mynih, ka gjithashtu rezerva në lidhje me faktin nëse anëtarë të veçantë të Këshillit të Sigurimit në rastin e Osetisë Jugore, përdorën standarde të dyfishta në argumentimin e tyre të parimeve të së drejtës ndërkombëtare civile: "Rusia është deklaruar gjithmonë si mbrojtëse e parimit të paprekshmërisë së kufinjve dhe moslejimit të ndarjeve territoriale. Dhe tani papritur, bën pikërisht të kundërtën e atyre që ka kërkuar vazhdimisht.“

Pra në praktikë nuk ka arritur të sundojë as mendimi i asaj pale, që thotë se ndarja territoriale është krejtësisht e palejueshme dhe as i asaj, që mendon se ndërhyrja humanitare është e mundshme. Sipas Josef Markos, poblemet e këtij debatit kanë të bëjnë me detajet: „A është gjenocidi justifikim për ndarjen? Çfarë do të thotë gjenocid? A duhet ta përcaktojmë atë vetëm nga këndvështrimi i përgjegjësisë individiale ndërkombëtare në kuptimin e kodit penal, apo mund ta përcaktojmë edhe nga e drejta e grupit? Gjëra të tilla mund të diskutohen deri në pyetjen cinike, se sa njerëz duhet të vriten çdo ditë për të thënë, se kemi të bëjmë me gjenocid, a mjaftojnë 20 të vrarë në ditë apo na duhen 300 të vdekur në ditë?"

Rastet e ndryshme të ndarjeve territoriale, të ndodhura që prej precedentit të Kosovës, nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën, mendon Altmanni. Paralelet e Kosovës me rajonet e tjera janë, sipas mendimit të tij, të papajtueshme: „Qeveria në Kosovë u detyrua që të përmbushte standarte të domosdoshme, kryesisht në lidhje me respektimin e të drejtave themelore dhe të minoriteteve. Të gjitha këto nuk ndodhën në Osetinë Jugore dhe në Abkazi.“


Autor: Fabian Schmidt / Dr. Pandeli Pani

Redaktoi: Aida Cama