1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

NATO vazhdon programin e saj Global Hawk

Programi zbulues i NATO-s "Global Hawk" vazhdon megjithë daljen e Gjermanisë nga "Euro Hawk". Por një zhvillim i përbashkët evropian i programit do të kishte qenë më mirë, thotë një kritik.

Dështimi i projektit gjerman për avionë zbulues pa pilot, "Euro Hawk", duket se nuk do të ketë asnjë pasojë mbi një projekt të ngjashëm të Aleancës. NATO planifikon sistemin e survejimi tokësor "Allied Ground Surveillance" (AGS) me pesë avionë zbulues pa pilot të tipit "Global Hawk". Ky sistem sipas të dhënave të NATO-s nuk është prekur nga vendimi gjerman. Avioni "Global Hawk" i ndërtuar nga firma amerikane Northrop-Grumman, është praktikisht versioni fillestar i sistemit. Tipi i porositur nga gjermanët "Euro Hawk" është një variant i ndryshuar i një "Global Hawk 20", që NATO do të porosisë tani.

Pamje të sakta nga lartësi 20 kilometra

Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière nën trysni politike për shkak të Euro Hawk

Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière nën trysni politike për shkak të "Euro Hawk"

Në maj 2012 aleatët në NATO në samitin e tyre në Chicago patën vendosur të blinin avionët e zbulimit pa pilot, të cilët nuk janë të pajisur me armatim. Nga viti 2017 ata duhet të jenë të gatshëm për misione dhe do të stacionohen në Sigonella të Siçilisë. Sipas vlerësimeve kostot për pesë avionë zbulues pa pilot janë rreth 1 miliard euro. Në projekt marrin pjesë 14 vende të NATO-s: Bullgaria, Gjermania, Danimarka, Estonia, Italia, Letonia, Latvia, Luksemburgu, Norvegjia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Çekia dhe SHBA. Avionët "Global Hawk" mund të fluturojnë në një lartësi deri 20 kilometra nga toka dhe të japin pamje aq të sakta, sa bëhet e mundur ndjekja e personave të veçantë.

Përse një projekt evropian avionësh zbulues?

Ky projekt pra vazhdon normalisht, megjithë vendimin e Berlinit. Por kritikat ndaj tij nuk mungojnë në Bruksel. Michael Gahler, zëdhënës për çështje të sigurisë në grupin e EVP-së në Parlamentin Evropian, kritikon në bisedë me DW se Gjermania në vend të një programi kombëtar, duhej të kishte çuar përpara zhvillimin e programit për avionët zbulues pa pilot në kornizën evropiane. Kërcënimi për sigurinë është i njëjtë për të gjithë dhe vendet e veçanta kanë shumë pak para. "Projekte të tilla janë për mua shembull i mirë se pikërisht kur kërkohet të blihet diçka e re, duhet ta bëjmë bashkarisht. Shpresoj që në këtë rast të mësojmë nga pësimi."

Michael Gahler, zëdhënës për çështje të sigurisë në grupin e EVP-së në Parlamentin Evropian

Michael Gahler, zëdhënës për çështje të sigurisë në grupin e EVP-së në Parlamentin Evropian

Për Gahler një projekt evropian për avionët zbulues pa pilot është i drejtë dhe në aspektin e politikës për industrinë. Sipas tij "projekti nuk mund të reduktohet në aspektin ushtarak, pasi këta avionë në radhë të parë nuk janë instrumenta lufte." "Në 90 për qind të rasteve ata përdoren për arsye civile si avionë survejues" në ekonominë agrare dhe të pyjeve, për shembull për të dalluar sa më herët zjarret apo për të zbuluar ndotje të ambientit. Kur mundësitë e përdorimit janë kaq të mëdha "është vërtet me kuptim, të bashkohen mjetet civile dhe ushtarake të kërkimit."

Prodhuesi mbrohet

Firma prodhuese amerikane ndërkohë mbrohet ndaj padive gjermane për mangësi të avionëve zbulues të dorëzuar. Këtu bëhet fjalë në radhë të parë për mungesën e mbrojtjes nga përplasja dhe mungesën e dokumenteve, që janë të nevojshme për nxjerrjen e lejes evropiane të qarkullimit. Një zëdhënës i Northrop-Grumman u shpreh në gazetën gjermane "Die Zeit" se Gjermania nuk ka thënë kurrë në mënyrë të qartë se çfarë dokumentesh janë të nevojshme për lejen. Veç kësaj vetëm një prej modeleve të provës së avionit nuk e ka pasur mbrojtjen nga përplasja. Tek katër avionët e tjerë të porositur fillimisht, kjo mbrojtje nga kollizioni ka qenë e planifikuar si pjesë përbërëse e sistemit. Sipas kompanisë amerikane nuk ka arsye për rritje të forta të kostove.