NATO përfundon fazën e parë të mbrojtjes raketore
22 Maj 2012Presidentët dhe kryeministrat e 28 vendeve anëtare të NATO-s në samitin e tyre në Çikago kanë arritur marrëveshje për ndërtimin e rrjetit të mbrojtjes nga raketat. Njëkohësisht i kanë bërë thirrje edhe Rusisë të përfshihet në këtë projekt. Moska e sheh këtë projekt si një kërcënim për sigurinë e saj por liderët e NATO-s thanë se këto shqetësime janë të pabaza. Sistemi i mbrojtjes nga raketat duhet të përfundojë deri në vitin 2020.
"Është ky hapi i parë drejt realizimit të një projekti afatgjatë për mbrojtjen e popujve dhe territoreve të të gjitha vendeve të NATO-s në tokën evropiane", deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-a Anders Fogh Rasmussen.
Projekti për ndërtimin e rrjetit të mbrojtjes nga raketat ka mbështetje të gjërë. Spanja, Turqia, Rumania dhe Polonia e kanë dhënë pëlqimin e tyre që pjesë të këtij rrjeti të ndërtohen në territoret e këtyre vendeve. Shtëpia e Bardhë në Uashington bëri të ditur se aftësia për veprimet e para duhet të arrihet deri në vitin 2015, ndërsa sistemi i plotë duhet të jetë i gatshëm pesë vite më vonë.
Dyshimet e Rusisë
Rusia e sheh këtë rrjet si kërcënim. Rasmussen tha se rusët nuk mund të kenë ndonjë ifnluencë vendimtare në planet e NATO-s por do të ishte mirë sikur Moska të bashkëpunonte në këtë proces. Edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerëelle ka kumtuar se do të ishte mirë sikur të bashkëpunohej me Rusinë.
"Dera për Rusinë është e hapur", deklaroi ai në Çkago ku ishte planifikuar të mbahet edhe një samit mes NATO-s dhe Rusisë por ai është shtyrë për shkak të dallimeve të mëdha në qëndrime. Vlerësohet se frontet mes SHBA-së dhe Rusisë për këtë çështje mund të zbuten vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në nëntor të këtij viti.
Përparimet tjera
Përparime janë shënuar në këtë samit edhe sa i përket sistemeve për mbikqyrje tokësore AGS (Alliance Ground Surveillance System). Ndërkohë që sa i pëket ndërhyrjes në Libi Rasmussen theksoi rëndësinë e sistemeve të zbulimit.
"Sot do të nënshkruhet një marrëveshje për blerjen e pesë avionëve pa pilotë me qëllim që të identifikohen kërcënimet dhe të vëzhgohet gjendja", theksoi ai.
Sistemi i mbrojtjes nga raketat dhe sistemi AGS janë shembuj të mirë të të ashtuquajturës "smart defense" me të cilën NATO po përpiqet të balancojë mes nevojave për mbrojtje dhe mungesës së mjeteve financiare.
Afganistani një prej temave më kontestuese
Afganistani ka shkaktuar debate mes vendeve anëtare të NATO-s që para fillimit të këtij samiti, sepse presidenti i Francës Francois Hollande ka paralajmëruar tërheqjen e trupave të vendit të tij që këtë vit. Presidenti amerikan Barack Obama deklaroi në hapje të samitit se vendet duhet të jenë të vendosura për ruajtjen e sigurisë deri në përfundimin e misionit. Përfundimi i misionit është parashikuar për fund të vitit 2014.
"Ne do të dëshironim që Franca të mbetet pjesë e ISAF-it deri në përfundimin e misionit", deklaroi kanclearja gjermane Angela Merkel. Franca ka aktualisht në Afganistan rreth 3100 ushtarë. Edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle paralajmëroi nga tërheqja e përshpejtuar nga ky vend: "Një garë për tërheqjen sa më të shpejtë të demokracive perëndimore për shkaqe të brendshme politike nuk do të forconte por do të dobësonte luftimin e terrorizmit në botë. Ndaj pjesëmarrësit duhet të jenë kaq të kuptueshëm sa të realizojnë marrëveshjet e arritura më parë."
Protestat
Samiti në Çikago po përcillet edhe nga proteasta të shumta. Ndër demonstruesit është edhe ish eurodeputeti Tobias Pflüger. Ai kërkon largimin e NATO-s nga Afganistani dhe heqjen dorë nga ndërtimi i rrjetit për mbrojtje nga raketat. Në protestat e fundit ka pasur njerëz nga shumë vende të botës, të cilët janë përplasur me forca të mëdha policie. Janë arrestuar të paktën 45 persona, deklaroi shefi i policisë Garry McCarthy. Këto protesta janë siguruar prej më shumë se 3000 policëve.
Autor: Christina Bergmann/Bahri Cani
Redaktoi: Elert Ajazaj