280311 NATO Libyen-Einsatz
28 Mars 2011Qeveria gjermane ka theksuar vazhdimisht se ushtarët gjermanë nuk do të marrin pjesë në operacionet ushtarake në Libi, gjithësesi Gjermania votoi pro këtij vendimi të NATO-s:
"Aleatët e NATO-s kanë vendosur të marrin përgjegjësinë për të gjithë operacionin ushtarak në Libi," tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen. Koalicioni ndërkombëtar nën drejtimin e amerikanëve, francezëve dhe britanikëve - i quajtur edhe si koalicioni i të vullnetshmëve - do t'ia kalojë komandën krejtësisht Natos.
Bazuar në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tha Rasmussen,
"...qëllimi ynë është të mbrojmë civilët dhe zonat me popullsi civile nga kërcënimet e sulmeve të regjimit të Gaddafit."
Sulmet ajrore të NATO-s bazohen në nenin 4 të rezolutës së OKB-së për Libinë. Në të trupave të NATO-s u jepet e drejta që për mbrojtjen e popullsisë civile të ndërmarrin të gjitha hapat dhe të përdorin të gjitha mjetet e domosdoshme me përjashtim të pushtimit të vendit me trupa tokësore.
Përfaqësues të NATO-s deklaruan se kalimi i plotë i komandës të operacionit ajror ushtarak në Libi nga drejtimi amerikano- francezo-britanik te ai i NATO-s mund të zgjasë disa ditë.
Sulme ndaj objekteve ushtarake dhe burimeve tww furnizimit
NATO-ja drejton që prej datës 22 mars bllokadën detare ndaj Libisë. Synimi i saj është që të pengojë furnizimet e Libisë me armë dhe depërtimin e ushtarëve mercenarë në Libi.
Sulmet ajrore të NATO-s do të drejtohen jo vetëm kundër aviacionit libian apo reparteve të mbrojtjes kundërajrore, por edhe kundër trupave libiane, tankeve apo automjeteve të tjera ushtarake në rast se janë duke sulmuar popullsinë civile.
Nën mbrojtjen e sulmeve ajrore kundështarët e Gadafit arritën që t'i rikthehen ofensivës.
Në lidhje me hapat e mëtejshëm të bashkësisë ndërkombëtare për Libinë do të diskutohet nesër (29.3.) në Londër. Në konferencën për Libinë do të marrin pjesë drejtues të OKB-së, të NATO-s, të Bashkimit Afrikan dhe mbi 30 ministra të jashtëm. Në konferecën e Londrës do të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle edhe pse Gjermania nuk do të dërgojë trupa në Libi.
Autor: Andreas Reuter/Pandeli Pani
Redaktoi: Auron Dodi