NATO informohet drejtpërdrejt mbi gjendjen e sigurisë në Kosovë
29 Prill 2008Aleanca veriatlantike, e cila ka mbi 16 mije trupa në Kosovë, po vlerëson gjendjen e sigurisë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Në këtë kuadër, në Kosovë po qëndron një delegacion nga komiteti ushtarak i NATO-os, autoriteti më i lartë i aleancës dhe që siguron me këshilla ushtarake, organet civile vendim-marrëse të NATO-s. Komiteti ushtarak i NATO-os, është përgjegjës t'i rekomandojë autoriteteve politike të NATO-s ato masa, të cilat konsiderohen të jenë të nevojshme për implementimin e vendimeve që i përkasin operacioneve dhe misioneve të NATO-s.
Takime të drejtpërdrejta në terren
Delegacioni po viziton trupat e KFOR-it, në rajone të ndryshme të vendit dhe po bisedon me udhëheqësit ushtarak dhe ata civilë ndërkombëtarë dhe vendorë. Javën e shkuar në Kosovë pati qëndruar edhe një delegacion parlamentar i NATO-os, i cili do të hartojë hartojë një raport mbi zhvillimet në Kosovë dhe do ta shqyrtojë atë në asamblenë parlamentare të NATO-s që do të zhvillojë punimet gjatë muajit qeshor në Berlin të Gjermanisë.
Politika kosovare dëshiron praninë e gjatë të NATO-s në Kosovë
Michael Clapham, pjesëtar i komisionit parlamentar të vendeve anëtare të NATO-s është i mendimit se situata e sigurisë po mbikqyret nga forcat paqeruajtëse. "Nga ato që kemi parë dhe dëgjuar nga takimet këtu, mund të konkludoj se është duke u bërë një punë e mirë", tha Michael Clapham
Nga ana e tyre, udhëheqësit politikë kosovarë, gjatë takimeve me krerët e NATO-os, kanë përsëritur kërkesën e institucioneve për qëndrimin e NATO-s, në Kosovë edhe për një kohë të gjatë. Në planin e ndërmjetësit, Marti Ahtisari, mbi bazën e të cilit Kosova shpalli pavarësinë, parashihet shpërbërja e TMK-së edhe krijimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në këtë proces është e përfshirë Aleanca Veriatlantike, e cila do të trajnojë oficer të TMK-së. Forca e sigurisë së Kosovës do të ketë 2500 trupa dhe ata vazhdimisht do të jenë nën mbikqyrjen e NATO-os. Kjo forcë duhet të krijohet brenda një viti nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës.