1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Në Itali priten shpesh tërmete të shkallës së mesme

Tërmete të mëdha me fuqi mbi tetë ballë kanë pak gjasa të ndodhin në Apenine, thotë sizmologu Stefano Parolai.

Mund të thuhet se në Apeninet qendrore dhe veriore janë më të shpeshta tërmetet në krahasim me Apeninet jugore. Por forca e tërmeteve aty është disi më e ulët - thotë në bisedë me DW-në Stefano Parolai, sizmolog në Qendrën për Studime Gjeologjike në Pocdam (GFZ).

Historikisht, ka pasur edhe disa tërmete pak më të forta si ai në vitin 1703 [në afërsi të L 'Aquilas] me një fuqi prej rreth 6.9 ballësh. Po natyrisht me të dhënat historike duhet të jemi të kujdesshëm, se atëhere nuk ka pasur sizmometra.

Stefano Parolai është nga Liguria veriore, ku shpesh ndodhin tërmete. Në gushtin e vitit 2016 ai ishte bashkë me kolegët e tij në Amatrice për të provuar modele për analizën e dëmeve. Sipas tij për rajonin është karakteristike se gjendet në një zonë tendosjeje dhe është pjesë e një sistemi kompleks pllakash nëntoksore që pësojnë fraktura dhe gjenerojnë tërmete. Ky lloj sistemi është i ndryshëm nga ai i zonave të subduksionit në Amerikën e Jugut apo Japoni, ku pllakat tektonike hyjnë tek njëra tjetra.

Tërmete të shkallës së mesme

Por edhe pse në Itali kemi të bëjmë me një zonë tendosjesh teknonike, është e vështirë të parashikohet nëse ajo mund të tronditet ose jo nga tërmete të fuqishme. Historia tregon se në këtë zonë ka pasur tërmete të forta, po nuk mund të thuhet nëse është arritur maksimumi, thotë sizmologu. Sipas tij në Itali priten shpesh tërmete të shkallës së mesme.

Shkaku se përse në këtë zonë dëmtohen prej tërmeteve kaq shumë shtëpi lidhet sipas sizmologut Stefano Parolai me faktin, se shumë ndërtesa nuk janë të ndërtuara me elemente sigurie ndaj tërmeteve. Po ashtu edhe me faktin se epiqendra e tërmeteve është spostuar pak drejt veriut.