1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nën hijen e krizës financiare - Këshillimet franko- gjermane

Angela Ulrich25 Nëntor 2008

Kancelarja Merkel u takua dje në Paris me presidentin francez Sarkozi. Në këshillimet gjermano-franceze të zhvilluara çdo gjashtëmujor u trajtua kriza financiare.

https://p.dw.com/p/G1eY
Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy
Angela Merkel dhe Nicolas SarkozyFotografi: AP

Gjermania dhe Franca nuk planifikojnë ta nxisin fuqinë blerëse të qytetarëve në këto kohë krize nëpërmjet uljes së tatimit mbi vlerën e shtuar. Gjatë këshillimeve gjermano-franceze në Paris ishim të një mendjeje, tha Angela Merkel...

"...se një ulje e përgjithshme e tatimit mbi vlerën e shtuar mund të jetë ndoshta zgjidhja për disa vende, por jo edhe për Gjermaninë dhe Francën. Këtu pati një përputhje të madhe në qëndrime."

Sarkozy në Berlin, 12 nëntor 2007
Sarkozy në Berlin, 12 nëntor 2007Fotografi: AP

Kryeministri britanik Gordon Braun kishte paralajmëruar një ulje të tatimit mbi vlerën e shtuar për vendin e vet. Kancelarja gjermane nuk do të dijë për lehtësime të tilla fiskale për të gjithë. Në vend të kësaj duhen mbështetur degë të veçanta, edhe me ndihmë nga Brukseli, bëri të qartë Merkel në Paris.

Pra Angela Merkel nuk donte që ta shtynin përpara në Paris, nuk donte që ta shtynin drejt premtimeve financiare. Për programin e planifikuar të BE-së për nxitjen e koniunkturës nuk nevojiten as para të tjera nga Gjermania, tha Merkel. Kancelarja dukej që ishte në mbrojtje në Pallatin Elize pranë një Nikola Sarkozi në atmosferë gazmore. Presidenti francez nuk e mbajti dot gazin kur me gjithë harmoninë e shumëtheksuar e thumboi kancelaren:"Pajtohemi që duhet të ketë masa të tjera. Franca vepron, Gjermania mendohet."

Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel para një portreti të Gustave Courbet
Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel para një portreti të Gustave CourbetFotografi: AP

Angela Merkel konsiderohet në Francë si frenuese

Francezët e mbajnë mend mirë se si kancelarja gjermane fillimisht nuk donte t'ia dinte për planveprimin e përbashkët evropian për shpëtimin e bankave. Merkelit nuk i pëlqen as qeveria për ekonominë e eurozonës, e synuar prej Sarkozisë.

Në temën e dytë të madhe të takimit në Paris, atë të mbrojtjes së klimës, nuk u morr vendim. Në fakt ne jemi të një mendjeje për kushtet që u duhen vënë prodhuesve të automjeteve në lidhje me CO2-in, tha Sarkozi, por në hollësi kjo dhe tema e diskutueshme e tregtisë me emisionin do të trajtohen në samitin e Bashkimit Evropian në mes të dhjetorit.

Pa vendime për klimën

Angela Merkel është kancelarja që thotë jo. Kjo ishte esenca në gazetat franceze para këshillimeve gjermano-franceze. Kjo nuk do të ketë ndryshuar as pas takimit të shkurtër në Pallatin Elize.