Në veri të Mitrovicës - zgjedhjet e jashtëzakonshme
23 Shkurt 2014Në veri të Mitrovicës po zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune. KQZ bëri të ditur se procesi i votimit ka filluar dhe të gjitha vendvotimet janë hapur në kohën e paraparë, në orën 07:00.
“Procesi i votimit është duke vijuar me rregull dhe pa ndonjë problem”, njofton Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Janë katër kandidatë që garojnë për kryetar komune. Dy shqiptarë dhe dy serbë. Partia Demokratike e Kosovës, PDK garon me Florent Azemin, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK me Musa Miftarin, ndërsa Lista Serbe, e mbështetur nga qeveria e Beogradit me Goran Radiçin. Nisma Qytetare SDP, serish për kandidat ka Oliver Ivanoviçin.
Ky i fundit ndodhet në paraburgim, i dyshuar të jetë i përfshirë në vrasjen e civilëve në vitin 1999-2000, në Veri të Mitrovicës. Oliver Ivanoviçit do t'i mundësohet të votojë nga qendra e paraburgimit në Prishtinë.
Autoritetet e larta të Kosovës dhe ato të Serbisë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të votojnë në zgjedhjet për kryetar komune të veriut të Mitrovicës.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daciq ka thënë për mediat lokale serbe se “nëse pjesëmarrja e serbëve në votime nuk do të jetë e lartë, atëherë, komuna do të udhëhiqet nga shqiptarët”.
Ai kërkoi "që zgjedhjet e përsëritura për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut, të mbahen të qeta dhe në zgjedhje të dalin një numër domethënës i serbëve, që të mos e kemi mbi kokë problemin e njëjtë që e kemi pasur edhe në zgjedhjet e kaluara”, është shprehur kryeministri i Serbisë, Ivica Daciq.
Përfshirja e komunave veriore të Kosovës në zgjedhjet komunale u bë e mundur pas nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Ndërsa, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicës së veriut po ripërsëritën pas heqjes dorë nga mandati i kryetarit të zgjedhur Krstimir Pantiç, i cili kishte fituar në balotazh me 3 nëntor të vitit të shkuar.
Autoritet e rendit thonë se kanë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në mënyrë që procesi i votimit të zhvillohet në një atmosferë të qetë.
Të angazhuara për sigurinë e votimeve janë, policia e Kosovës, pjestarët e misionit EULEX dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it.
“Policia e Kosovës, si reagues i parë, do të jetë e pranishme jashtë qendrave të votimit dhe në hapësirat e tjera të rëndësishme, e përkrahur në mënyrë të dukshme nga EULEX-i, si reagues i dytë. KFOR-i, reaguesi i tretë, po ashtu do të jetë i dukshëm në afërsi të qendrave të votimit, i gatshëm që të intervenojë menjëherë, nëse ka nevojë”, thuhet në një njoftim të përbashkët të këtyre tri mekanizmave të sigurisë.
Edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, OSBE është e angazhuar në rolin e lehtësuesit të zgjedhjeve në veri të Mitrovicës.