Në Turqi janë bllokuar 7000 faqe interneti
6 Maj 2011Organizata Reporterë pa Kufij dënon heqjen e shumë fjalëve nga përdorimi në internet dhe mendon se cenzura e tepruar ka nisur të bëhet qesharake. Telekomminukacioni turk dhe enti për median kanö ndaluar përdorimin e 100 fjalëve në internet.
Përveç fjalëve si porno, seks, organe gjenitale, marrëdhënie seksuale në listën e ndaluar janë edhe fjalët si teen, mature, girl, fire, animal, beat, blonde apo escort. Edhe fjalët turke si njerkë, kunatë, zhveshur, i rritur dhe nxehtë bëjnë pjesë gjithashtu ndër fjalët e ndaluara. Fjala “ndalim” është po ashtu e ndaluar.
Goditje e lirisë së mendimit
Organizata Reporterë pa kufij deklaroi se largimi i shumë fjalëve është një goditje e lirisë së mendimit dhe kërkoi ndryshimin e nenit përkatës ligjor. Ligji për hartimin e faqeve të internetit dhe luftimin e kriminalitetit në internet lejon ndalimin e hyrjes në disa portale të internetit në rast dyshimi. Në të njëjtën kohë ligji lejon ato, që i shohin të cënuara të drejtat e tyre, që të kërkojnë bllokimin e përmbajtjeve në internet.
Organizata Reporterë pa Kufij bën të ditur se më shumë se 7000 portale në Turqi nuk mund të hapen. Ndër to ndodhen edhe ofrues si YouTube, Google, Google Analytics, Google AdWords, Google Docs, Myspace und Vimeo. Reporterë pa Kufij tërhoqi vemendjen se Facebook, Twitter dhe faqe të rrjeteve të ngjashme sociale mund të bllokohen në çdo kohë në Turqi.
Reporterë pa Kufij e ka futur Turqinë për shkak të cenzurës në listën e “armiqve të internetit”. Në kategorinë e "vendeve nën vëzhgim' ndodhen edhe Rusia, Australia, Franca dhe Korea e Jugut.
Organizata Reporterë pa Kufij dërgoi në prill vëzhgues në Turqi. Me rastin e ditës së lirisë së shtypit me 3 maj organizata botoi një thirrje për lirimin e gazetarëve të burgosur Nedim Shener dhe Ahmet Shık. Reporterë pa Kufij pohojnë se ndjekja penale është produkt i "mosdijes të autoriteteve përkatëse turke lidhur me gazetarinë hulumtuese".
Autor: Kayhan Karaca
Redaktoi: Angjelina Verbica