200510 Thailand Lage
20 Maj 2010Edhe gjatë mëngjesit të sotëm (20.05) në qendër të kryeqytetit tajlandez ka pasur sërish të shtëna të veçuara. Qendra e qytetit, përreth zonës së kryqëzimit Rajaprasong konsiderohet si zonë e rrezikshme dhe vazhdon të mbahet e bllokuar prej ushtarëve. Në qendrat tregtare, një pjesë e të cilave vazhdojnë të digjen, qëndrojnë sipas të dhënave të ushtarakëve të fshehur kundërshtarë militantë të qeverisë.
Shumë e tensionuar paraqitet gjendja në tempullin budist, Wat Patum Wanaram, që ndodhet shumë afër qendrës tregtare, në të cilin kanë gjetur strehë fëmijë dhe gra. Ndër dymijë vetët e futur në tempull të mërkurën në mbrëmje, duhet të ketë edhe persona të armatosur. Një zëdhënës i policisë njoftoi se mjekët dhe forcat e shtëpimit kanë gjetur nëntë trupa pa jetë në territorin e tempullit. Ushtarë të armatosur kanë rrethuar tempullin.
Kundërshtarë militantë të qeverisë, që nuk kanë qenë dakord me vendimin e komandantëve të tyre për t'u dhënë fund aksioneve të protestës, dolën si të tërbuar të mërkurën në mbrëmje nëpër rrugët e qytetit duke shkaktuar dhunë. Central World, një qendër luksurioze tregtare në afërsi të Rajaprasong vazhdon të digjet dhe është shkatërruar pjesërisht. Zjarri u është vënë edhe 30 ndërtesave të tjera, ndër to qendra tregtare, hotele, ndërtesa administrate dhe ajo e Bursës së Tajlandës. Të enjten në mëngjes zjarri iu vu edhe një qendre gjigande tregtare. Për të vënë gjendjen nën kontroll, qeveria ka vendosur ta zgjasë ndalimin e qarkullimit edhe për disa ditë.
Reagimet për mënyrën e trajtimit të kundërshtarëve të qeverisë nga forcat e rendit, janë të ndryshme. Banorët e kryeqytetit i vlerësojnë ato në përgjithësi pozitivisht, sepse aksioni disamujor i protestës së këmishëkuqëve e ka paralizuar pjesërisht jetën publike dhe ekonomike të kryeqytetit.
Netët e ardhshme ndalimqarkullimi nuk do të vlejë vetëm për Bangkokun, por edhe për provincat përreth.
Autor: Bernd Musch-Borowska/Aida Cama
Redaktor: Pandeli Pani