1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situatë e tensionuar në Tajlandë

afp, dpa/Mimoza Kelmendi27 Nëntor 2013

Situatë e tensionuar në Tajlandë, për shkak të protestave. Pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme në disa zona, qeveria ka shtuar masat e sigurisë në vend. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministres.

https://p.dw.com/p/1APRa
Bangkok 27.11.2013Fotografi: Reuters

Kundërshtarët e qeverisë në Tajlandë vazhdojnë edhe më tej protestat e tyre të cilat kanë nisur prej ditës së dielë (24.11). Mijëra protestues marshuan drejt kompleksit të ndërtesave të qeverisë në veri të kryeqytetit Bangok, ku mbajnë të rrethuar selitë e ministrive me kërkesën për një dorëheqje të kryeministres Yingluck Shinawatra. Ky marsh protestues i udhëhequr nga kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Suthep Thaungsuban, nisi si reagim i një amnistie të hartuar nga qeveria e Shinawatras ku i siguronte vëllait të saj, ish-kryeministrit Thaksin Shinawatra, rikthimin në Tajlandë pa rrezikuar që të arrestohej, edhe pse i dënuar ligjërisht. Në 2008-n një gjykatë në Bangkok e dënoi atë me akuzën për korrupsion. Kryeministrja 46 vjeçare është motra e ish-kryeministrit që u rrëzua nga pushteti nga një grusht shteti në vitin 2006.

Vetë kryeministrja Shinawatra ka përforcuar me forca speciale gjendjen e sigurisë në vend për të përballuar protestat, ndërkohë që në disa zona është vendosur gjendja e jashtëzakonshme. Autoritetet nxorrën një urdhër-arresti për udhëheqësin e protestave, i cili tashmë është në kërkim. Deri më tani protestat kanë qenë paqësore dhe protestuesit, pavarësisht urdhër-arrestit ndaj kryetarit të partisë opozitare, janë deklaruar për vazhdimin e tyre deri në dorëheqjen e kryeministres Shinawatra. Ajo erdhi në pushtet në vitin 2011 pas fitores së partisë “Phai Thai” e themeluar nga vëllezërit e saj, ndërkohë që ish-kryeministri Thaksin Shinawatra që prej 2006-s ndodhet në mërgim.