1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temë qendrore: tejkalimi i ndarjes politike të ishullit mesdhetar.

Hans Michael Ehl21 Mars 2008
https://p.dw.com/p/DSDn
Presidenti i ri i Qipros Demetris Christofias.Fotografi: AP

Të paktën një përpjekje e re - kështu thonë të dyja palët, që takohen sot paradite në selinë e Kombeve të Bashkuara në aeroportin e Nikosisë, i mbyllur që prej vitit 1974. Shpresa të mëdha lidhen me presidentin qipriot Demétris Christófias. Megjithatë ky u përpoq t'i ulte pritjet e mëdha duke vënë në dukje bisedimet e kaluara.

'Nuk duhet të kërkojmë absoluten dhe të themi: e duam zgjidhjen tani dhe këtu. Sipas motos: sikur çështja e Qipros të mos jetë zgjidhur deri në dhjetor, atëherë kjo është kataklizmi. Nuk duhet ta vëmë veten nën trysni dhe të kërkojmë zgjidhje me çdo kusht. Me këtë dështuam një herë në 2004-ën dhe unë dua që të kemi sukses.'

Udhëheqësi i grupit etnik turk të ishullit, Mehmet Ali Talat, kishte shprehur që pas zgjedhjes së Christofias-it në fund të shkurtit optimizëm, se me të ishte e mundur zgjidhja e konfliktit.

'Kam shumë shpresë, sepse është zgjedhur një udhëheqës, i cili paralajmëron se do të negociojë me qipriotët turq për zgjidhjen. E njoh atë personalisht prej shumë vitesh. Jam më shumë se i lumtur.'

Prej këtij takimi të parë nuk pritet ende sukses në bisedime; qëndrimet janë tepër të kundërta. Pala turko-qipriote kërkon që plani i Kombeve të Bashkuara i vitit 2004 të shërbejë si bazë; këtë qipriotët grekë e kishin refuzuar me plebishit.