Zgjedhjet lokale në Kosovë
4 Nëntor 2013Në Kosovë të dielën me 03.11, u mbajten zgjedhjet për kryetarë komunash dhe këshilltar për asamble komunale, në një proces që u cilsua i qetë pa incidente, përjashtuar veriun e Kosovës. Pjesëmarrja në votime sipas kryetarës së KQZ-së, Valdete Daka, ishte 45.79%. Në këtë përqindje nuk është përfshirë numri i votuesve nga pjesa veriore e Kosovës. Daka tha pas mbylljes së qendrave të votimit se grupe të organizuara ekstremiste serbësh demoluan disa qëndra votimi dhe shkatërruan material të konsiderueshëm zgjedhor.
“Republika e Kosovës përmbylli një proces zgjedhor jo aq të lehtë, për faktin që u zhvilluan zgjedhje edhe në veri të Kosovës. KQZ, njofton se në orët e pasditës, grupe huliganësh kanë hyrë në disa qendra të votimin në veri të Mitrovcës. Ata kanë rrezikuar stafin vendor dhe ndërkombëtar”, tha Valdete Daka. Ajo tha se KQZ kërkon nga organet e drejtësisë që materiali zgjedhor të sillet në qendrën e numërimit në Prishtinë dhe pastaj të konstatohet gjendja. “Pas verifikimit të materialit zgjedhor mund të konstatohet nëse materiali nga komunat veriore është i vlefshëm apo jo”, deklaroi kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka. Nga 1 milion e 779 mijë votues të regjistruar, të drejtën e votës e shfrytëzuan 814,718 votues. Në këtë numër nuk përfshihet numri i votuesve të veriut.
Presidentja Jahjaga dënon dhunën në veri
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një deklaratë për media pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve, vlerësoi se “zgjedhjet komunale të 3 nëntorit janë mbajtur në një atmosferë përgjithësisht të qetë dhe të pranueshme me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve, në pjesën më të madhe të vendit”. Mirëpo, presidentja shprehu indinjatën e thellë dhe dënoi fuqishëm frikësimin dhe pengimin e qytetarëve të komunitetit serb të pjesës veriore për të marrë pjesë në zgjedhje.
“Parandalimi, frikësimi, shantazhimi i qytetarëve dhe dhuna e shfaqur në disa vendvotime nga grupe të caktuara në pjesën veriore të territorit të vendit është në kundërshtim me parimet demokratike në shoqëri, pengon procesin e ndërtimit të një shteti gjithëpërfshirës dhe tolerant si dhe cënon rrugën e integrimit evropian të Kosovës”, thotë presidentja Atifete Jahjaga. Incidentet dhe parregullsitë që kanë ndodhur në disa pjesë të Kosovës, sipas presidentes janë duke u hetuar nga mekanizmat për mbarëvajtjen e procesit.
Rezultatet paraprake priten gjatë ditës
Interesant është fakti që në veri të Kosovës, megjithë incidentet e shkaktuara, nuk ka asnjë person të arrestuar deri të dielën në mbrëmje. Por në rajone të tjera ka rreth 20 persona të arrestuar për disa incidente që policia e cilësoi të izoluara. Prokuroria e shtetit njoftoi se nga këto arrestime nëntë raste cilësohen vepra penale.Procesi zgjedhor për kryetar komunash dhe këshilltar për asamble komunale u zhvillua në 38 komuna të Kosovës. Në garë ishin 103 subjekte politike, me 7.932 kandidatë.
Zgjedhjet lokale të tre nëntorit u monitoruan nga mijëra vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtar. Një mision vëzhgimi në Kosovë ka dërguar për herë të parë edhe Bashkimi Evropian, mision ky që kryesohet nga Roberto Gualtieri, deputet në Parlamentin Evropian. Ky mison akoma nuk ka dhënë vlerësimin për zgjedhjet. Sidoqoftë, rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale të tre nëntorit, sipas, kryetarës së KQZ-së, Valdete Daka, bëhen të njohura gjatë ditës së hënë.