Në Korfuz trajtohen çështje të rëndësishme
27 Qershor 2009Me 27 dhe 28 qershor, ishulli grek i Korfuzit do të jetë në epiqendër të politikës ndërkombëtare me mbajtjen fillimisht, të Këshillit NATO-Rusi e nesër të takimit jo formal të mbi 50 ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-së.
“Sesioni i OSBE-së në Korfuz ka si objektiv të krijojë një tjetër atmosferë dhe të tjera marrëdhënie midis Perëndimit dhe Rusisë”, deklaroi ministrja e Jashtme greke Dora Bakojani, në cilësinë e krysueses së radhës të OSBE-së, duke shtuar se do të mbahet dhe një mbledhje e ministrave të jashtëm evropianë për çështjen e Iranit. Këshilli NATO-Rusi, që mbahet nën kryesinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Jap de Hoop Shefer, është orvajtja e parë e përafrimit të të dy palëve pas luftës në Gjeorgji verën e kaluar dhe mbështetjes ruse të shkëputjes së Osetisë Jugore. Në këtë kontekst ndihmës sekretari amerikan i shtetit Xhejms Stainberg - zonja Klinton do të mungojë për shkak të lëndimit të dorës së saj- dhe ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov do të synojnë harmonizimin e qëndrimeve të Uashingtonit dhe Moskës mbi një axhendë të mprehtë problemesh që nga Afganistani dhe deri te përmbajtja e Sigurisë Evropiane dhe mburoja antiraketore amerikane në Evropë.
Aspiratat janë të mëdha dhe për përcaktimin e “hartës” së Sigurisë Evropiane ku sesioni jo formal i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-së pritet të shënojë dhe hapin e parë të së shtuquajturës “Procedurë e Korfuzit” që do të çojë në vijim në një Helsink të ri. Në tavolinë do të vihen të gjitha parametrat e sistemit të ri të sigurisë, që nga ai ushtarak dhe politik e deri tek ai ekonmik dhe social me probleme të tilla si energjia por edhe emigracioni klandestin dhe trafiqet e ndryshme të paligjshme. Nga takimet bilaterale për problemet e rajonit të Ballkanit pritet me interes ai midis shefave të diplomacisë të Athinës dhe Shkupit Bakojani-Miloshoski.
Autor: Niko Anagnosti
Redaktoi: Bahri Cani