1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në kërkim të Papës së ri - A është Zoti një brazilian?

Astrid Prange De Oliveira / Eliana Xhani25 Shkurt 2013

Në debatin për pasuesin e Papa Benediktit të XVI pasqyrohet në të njëjtën kohë dëshira e zjarrtë për modernizim dhe fillim të ri në vendin më të madh katolik të globit.

https://p.dw.com/p/17kXc
Fotografi: Reuters

Mes Romës dhe Rios duket se po nis një marrëdhënie e re. Për herë të parë në historinë e Kishës Katolike, ekziston mundësia që një brazilian të ngjitet në fronin e Papës. Në debatin për pasuesin e Papa Benediktit të XVI, pasqyrohet në të njëjtën kohë dëshira e zjarrtë për modernizim dhe fillim të ri në vendin më të madh katolik të globit. "Ne jemi Papë" - me shumë dëshirë amerikano-jugorët do ta përshëndesnin me këto fjalë Papën e ri në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë në Rio de Janeiro. Që tani është e sigurt se udhëtimi i parë apostolik jashtë vendit, do ta çojë kreun e Kishës në metropolin brazilian, ku nga 23 deri në 28 korrik pritet të mblidhen rreth 2 milionë besimtarë.

A është pra Zoti një brazilian, siç sugjeronte dhjetë vjet më parë regjisori i famshëm Carlos Diegues? Titulli i filmit duket se shpreh dëshirën e zjarrtë të shumë brazilianëve. Qoftë në Konferencën Ipeshkvnore Braziliane, qoftë në zyrën presidenciale, po shtohet dëshira për një "latin" në Fronin e Shenjtë. "Kisha nuk duhet të drejtohet më nga një evropian", bëri të qartë kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Braziliane, Raymundo Damasceno Assis në të përditshmen braziliane "O Globo". "Përse Shpirti i Shenjtë të mos shfaqet tek një prijës nga një tjetër kontinent?"- është shprehur Assis.

Të këtij mendimi janë edhe njerëzit në kryeqytetin Brazilia. "Do të ishte bukur nëse Papa i ri do të ishte brazilian", deklaroi shefi i zyrës presidenciale Gilberto Carvalho, pak kohë më parë për shtypin brazilian. "Cili vend nuk do ta shihte me dëshirë një shtetas të tij në një post kaq të rëndësishëm?", pyeste Carvalho, një katolik i bindur.

Shefi i Misereor, Pirmin Spiegel.
Shefi i Misereor, Pirmin Spiegel.Fotografi: picture alliance / dpa

Vetëbesimi nuk mungon në vendin ambicioz në ekspansion industrial. Dita Ndërkombëtare e Rinisë, Kampionati Botëror i Futbollit dhe Olimpiada - përse të mos kurorëzohej me zgjedhjen e një braziliani Papë maratona e aktiviteteve të rëndësishme që zhvillohen së shpejti në Brazil?

Thekse nga Amerika Latine

"Kishën latino-amerikane dhe veçanërisht Kishën braziliane e kam përjetuar gjithnjë si shumë të sigurt në vetvete", konfirmon Pirmin Spiegel, drejtor ekzekutiv në organizatën humanitare ipeshkvnore, Misereor. Konferencat e mëdha të ipeshkvijve në Amerikën Latine, në Medellin, në Puebla, kanë venë respektivisht thekset e veta. Spiegel, i cili ka jetuar 15 vjet si misionar në Brazil, dëshiron gjithashtu një Papë joevropian. "Do të ishte me siguri një sinjal i rëndësishëm nëse Papa i ardhshëm do të vinte nga jugu", mendon ai. Shumë partnerë në projekte dëshirojnë një latino-amerikan, që e njeh realitetin e kontinentit.

Një nga kandidatët pë Papë - Kardinali Odilo Pedro Scherer
Një nga kandidatët pë Papë - Kardinali Odilo Pedro SchererFotografi: picture-alliance/dpa

Po të merren parasysh vetëm shifrat, mundësia që nga konklava të dalë një Papë brazilian, është e vogël. Nga 117 kardinalët me të drejtë vote, vetëm pesë vijnë nga Brazili megjithëse atje jetojnë rreth 125 milionë katolikë. SHBA me rreth 70 milionë katolikë, ndër të cilët shumë imigrantë latino-amerikanë, kanë 11 kardinalë. Shumica dërrmuese e kardinalëve, 61 syresh, vijnë nga Evropa.

Megjithatë një brazilian, arqipeshkvi i Sao Paulos, Odilo Pedro Scherer, është një ndër pesë të favorizuarit e konklavës. 65-vjeçari vjen nga një familje imigrantësh gjermanë dhe në 2001 u emërua nga Papa Gjon Pali si ndihmës-ipeshkv në metropolin Sao Paulo. Në atdheun e tij Brazil, Scherer konsiderohet si konservator që lufton kundër dobësimit të vlerave dhe kundër lidhjeve brenda së njëjtës gjini. Ndërsa në Romë ai gëzon reputacionin e një njeriu të moderuar dhe të hapur.

1,5 milionë vetë morën pjesë në Marshin për Jezusin në Sao Paulo 26maj, 2005.
Konkurrencë për Kishën Katolike - lëvizjet pentekostale kanë gjithnjë e më shumë përkrahësFotografi: picture-alliance/dpa

Pas dëshirës së zjarrtë për një Papë brazilian fshihet në të vërtetë distanca e madhe e shumë katolikëve brazilianë me Benediktin. "Kuria në Romë jeton në një botë krejt tjetër", mendon at João de Deus de Carvalho Leal, i ftuar në një aktivitet në Gjermani. "Vetëm besimi na bashkon por ndryshe nuk kemi asnjë mall për Benediktin", shtoi ai.

Për priftin nga qyteti i vogël Oeiras në shtetin federal Piaui, fjala e Zotit dhe luftimi i varfërisë duhet të ecin krah për krah. Kujdesi për shpirtin dhe puna sociale janë puna e tij e përditshme në një nga rajonet më të varfra të Brazilit. "Besimi katolik nuk duhet të jetë një grumbull parimesh dhe dogmash", bën të qartë Joao de Deus.

Distancimi i shumë brazilianëve nga Kisha Katolike bëhet i qartë edhe në statistika. Sipas të dhënave të Zyrës braziliane të Statistikave, përqindja e katolikëve në popullsinë braziliane është ulur nga 74 në 64 për qind në vitet 2000 deri 2010. Kishat protestante dhe lëvizjet pentekostale e kanë shtuar pjesën e tyre në të njëjtën periudhë kohore nga 15 në 22 për qind.

Jo vetëm në Evropë por edhe në Amerikën Latine nevoja për reforma duket se është e madhe. Shumë bashkësi të bazës shpresojnë tashmë për një rigjallërim të teologjisë së çlirimit, e cila gjatë dy periudhave të fundit papnore është lënë shumë pas dore. Shefi i Misereor, Spiegel, është i bindur: "Përsa kohë njerëzit do të jetojnë në mungesë dinjiteti dhe përjashtim, teologjia e çlirimit do të vazhdojë të jetë aktuale edhe nëse merr një tjetër emër".