1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestohen dy kosovarë të dyshuar për terrorizëm

Bahri Cani*
23 Dhjetor 2016

Policia gjermane ka kumtuar se personat e arrestuar dyshohen për përgatitjen e një sulmi terrorist në Oberhausen.

https://p.dw.com/p/2UlxZ
Deutschland Anti-Terror-Einsatz im Centro Oberhausen
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Stoffel

Policia gjermane ka arrestuar dy persona me origjinë nga Kosova në Duisburg të Gjermanisë, nën dyshimet se kanë përgatitur një sulm në qendrën tregtare Centro në Oberhausen. Lajmin e ka konfirmuar edhe një zëdhënës i policisë të premten në mëngjes. Dy vëllezërit me origjinë nga Kosova, të moshës 28 dhe 31 vjeçare, janë arrestuar gjatë natës nga një njësi speciale. Vëllezërit dyshohet se kanë qenë në fazën e përgatitjeve për kryerjen e një sulmi në Oberhausen.

"Aktualisht jemi duke punuar me urgjencë për të zbuluar se në cilën fazë kanë qenë përgatitjet dhe nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këto përgatitje", tha zëdhënësi. Deri tani nuk ka të dhëna për identietin e personave të arrestuar.

Deutschland Anti-Terror-Einsatz im Centro Oberhausen
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Stoffel

Ministria e Brendshme në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë është duke pritur rezultatet e hetuesisë, por përfaqësuesi i sindikatës së policëve thotë se ky është një moment i ri, sepse personat me origjinë nga Kosova deri tani nuk kanë qenë nën dyshime si pjesë e rrjeteve terroriste në këtë land.

Në afërsi të qendrës tregtare Centro janë vendosur forca të shtuara të policisë, që po kontrollojnë rrethinën. Centro është një prej qendrave më të mëdha tregtare në Gjermani. Në këtë qendër janë rreth 250 dyqane.