1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

160909 Muslime Medien

19 Shtator 2009

Myslimanët në Evropë nuk besojnë se për ta dhe çështjet e tyre, raportohet në mënyrë të balancuar në Evropë. Ata mendojnë se zgjidhja do të ishte pjesëmarrja më masive e gazetarëve të fesë myslimane në media.

https://p.dw.com/p/JkWW
Lutje në një xhami në Këln.
Shumica e myslimanëve në Gjermani, Francë dhe Britani të Madhe nuk besojnë se mediar raportojnë në mënyrë të balancuar.Fotografi: picture-alliance / dpa

Si prezantohen myslimanët në Gjermani, Francë dhe Britani të Madhe? A besojnë myslimanët se në këto shtete raportohet në mëyrë të balancuar dhe sa i përdorin ata mediat e veta për informim? Ishin këto vetëm disa nga pyetjet e shtruara në këtë studim të Institutit Strategjik për Dialog nga Londra dhe Fondacionit gjerman Vodafone, kushtuar gjendjes së myslimanëve në vendet evropiane. Në projektin e prezantuar në Potsdam, thuhet se shumica e myslimanëve në Gjermani, Francë dhe Britani të Madhe nuk besojnë se në këto vende raportohet në mënyrë të balancuar.

Haxhi në Mekë.
Raportimet për myslimanët dominohen nga tema e terrorizmit, fundamentalizmit apo shamisë së kokës.Fotografi: picture-alliance/dpa

Hulumtuesit e opinionit kanë pyetur për mendim 150 konsumatorë mediash dhe ekspertë të mediave. Ata mendonjë se raportimet për myslimanët dominohen nga tema e terrorizmit, fundamentalizmit apo shamisë së kokës. Deputeti danez Naser Khader, me prejardhje nga Siria, thotë se këtu shihet një qëllim i keq i gazetarëve. "Kemi raste kur gazetarët brenda një kohe të shkurtër, duhet të gjejnë ndonjë njeri që duhet të flas për integrimin apo fenë islame. Në këso situatash, ata i drejtohen personave që janë edhe më parë paraqitur në media. Në Danimarkë kemi pasur një grup myslimanësh që e kanë tepruar me fenë e tyre. Pas shpërthimit të debateve lidhur me karikaturat e profetit Muhamed, ishin pikërisht ata që prezantoheshin më së shumti në media. Ata nuk përfaqësojnë shumicën e myslimanëve në Danimarkë."

Pasqyrimi negativ në disa media kryesore të Evropës Perëndimore, siç thuhet në këtë studim, bën që myslimanët t'i drejtohen mediave në vendet tjera apo të komunikojnë vetëm me mediat që drejtohen nga bashkëkombasit e tyre në Evropën Perëndimore. Feja nuk është në këtë mes më e rëndësishmja, por gjuha. Interesant është që në këtë studim vetëm 40 përqind e të anketuarve mendojnë se myslimanët prezantohen në mënyrë të drejtë në të ashtuquajturat "mediat e minoriteteve". Pra në mënyrë të balancuar nuk raportohet as në mediat publike e as në ato që drejtohen nga njerëzit që i përkasin fesë myslimane.

Në një xhami në Ber´lin.
Myslimanët duhet të merren më shumë me mediat kryesore.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Kjo mund të ndryshojë, mendon shumica e të anketuarve, në qoftë se myslimanët merren më shumë me mediat kryesore. Por kjo nuk do të thotë se gazetarët me prejardhje myslimane duhet të merren vetëm me temat si integrimi apo feja islame, pohon publicistja britanike, Yasmin Alibhai-Brown. "Në qoftë se ndodh një gjë e tillë, atëherë shtrohet pyetja: ‚Çfarë të drejte kanë ata të shkruajnë për kërshëndellat? Për këtë duhet të shkruajnë vetëm të krishterët.' Kjo s'ka kurfarë kuptimi. Punësimi i më shumë myslimanëve në media do të thotë krijim kushtesh për pasqyrim të drejtë dhe të vërtetë."

Për shkencëtarin nga Zvicra me prejardhje egjiptiane, Tariq Ramadan është vetëm çështje kohe deri sa myslimanët të ngrihen në pozicione në vendet perëndimore. Për këtë ekspert është shumë e rëndësishme renditja e duhur e fakteve në internet. Profesori i Oxford ka një porosi për gazetarët: "Çështja e dallimeve është një temë komplekse. Kur kemi të bëjnë me tema të këtilla, kemi nevojë edhe për shumë shkollim. Për myslimanët nuk mund të flitet vetëm në aspektin kulturor, sepse fjala është për një fe të tërë. Ajo ka të bëjë me kulturën, ndërsa dallimet na detyrojnë t'i kthehemi parimeve të mëparshme. Dituaria duhet të kalohet prej një brezi në tjetrin, e mediat janë ato të cilat duhet ta transmetojnë këtë dituri."

Autor : Panagiotis Kouparanis / Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama