1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

081110 Dialog Hadsch

13 Nëntor 2010

Çdo mysliman ka detyrimin që njëherë në jetë të shkojë për haxhillëk. Udhëtimi i pelegrinazhit nis këtë vit më 15 nëntor dhe përfundon në 18 nëntor. Edhe në Gjermani myslimanët përgatiten për këtë ngjarje.

https://p.dw.com/p/Q7lC
Çdo mysliman ka detyrimin që njëherë në jetë të shkojë për haxhillëk.
Çdo mysliman ka detyrimin që njëherë në jetë të shkojë për haxhillëk.Fotografi: dpa

Engin Karahanci ulet drejt në tryezën e tij të punës. 35-vjeçari është ndihmës avokat në një zyrë avokatore në Bonn. Në një qoshe të dhomës ai ka vënë një qilim të blertë, për t'u falur: drejtimi tregon nga Meka. Vetëm pak ditë më vonë Engin Karahanciu do të jetë vetë atje – dhe këtë mezi e pret...

„Ah, emocionet para vajtjes për haxhillëk...ndoshta këtu kemi të bëjmë me një nga emocionet më të mëdha që mund të ketë njeriu dhe kjo është më sublimja që mund të bëjë një mysliman në jetën e tij.“

Al-Safa dhe Al-Marwa
Al-Safa dhe Al-MarwaFotografi: picture-alliance/dpa

E gjitha kjo megjithatë është edhe një punë mjaft e shtrenjtë. Haxhillëku zgjat normalisht disa javë. Për fluturimin, strehimin, shoqërimin në udhëtim, myslimanët që nisen që nga Gjermania duhet të investojnë rreth 3000 Euro...dhe të kalojnë shumë strese. Në fund të fundit, janë më shumë se 2 milionë vetë, që shkojnë në Mekë për pelegrinazhin katërditor. Krahas ndjenjës fetare, ajo që kërkohet është para së gjithash disiplina.

Në mënyrë që pelegrinazhi për në Arabinë Saudite të kalojë në mënyrë sa më të kontrolluar, ministria e atjeshme kompetente ka zhvilluar njërin nga sistemet më moderne të vizave në botë. Në bazë të këtij sistemi, mund të përpunohen më shumë se dy milionë kërkesa për vizë njëkohësisht. Në vend lejohet të hyjnë ai që e ka prenotuar udhëtimin e tij të pelegrinazhit në një agjenci haxhillëku të noterizuar.

Mevdudi Can drejton një sipërmarrje të tillë në Këln: „Duhet të kesh një certifikatë të IATA-s, që do të thotë, duhet të akreditohesh te Shoqata Ndërkombëtare e Fluturimeve. Ky është parakushti, në mënyrë që të marrësh një licensë në Arabinë Saudite në Ministrinë e Haxhillëkut.“

Para se të kërkojë vizë për pjesëmarrësit e tij, organizatori duhet të tregojë në Ministrinë Saudite kontratat e paguara të hotelit dhe të fluturimit, si dhe një shumë afrofe për siguri. Mashtrimi dhe shpërdorimi kështu pengohen, për rastet kur për shembull hoteli i prenotuar në Mekë në të vërtetë nuk ekziston fare. Shoqëria e udhëtimit në vendin e origjinës e kontrollon vlefshmërinë e të gjitha të dhënave dhe tërheq vëmendjen për gjëra që mund të mungojnë: për shembull për ndonjë vaksinim, që duhet bërë.

Disa nga pjesëmarrësit madje duhet të konfirmojnë se janë myslimanë besimtarë, deklaron Engin Karanciu: „Kur dikush për shembull quhet Christian, ka shumë mundësi që ai të mos jetë mysliman. Ministria e Haxhillëkut kërkon në një rast të tillë, kur dikush ka një emër të tillë jomysliman, që të verifikohet: a është personi me të vërtetë mysliman.“

Rreth tre milionë myslimanë bëjnë çdo vit pelegrinazh në vendet e shenjta të fesë islame në Mekë.
Rreth tre milionë myslimanë bëjnë çdo vit pelegrinazh në vendet e shenjta të fesë islame në Mekë.Fotografi: picture alliance/dpa

Këtë mund të konfirmojë komuniteti i xhamisë ku jeton personi. Meqenëse kërkohen kaq shumë detaje, ka rëndësi që pelegrinët të mund të bazohen në shoqëri udhëtimi me përvojë. Në seminare të posacme ata përgatiten për ritet fetare dhe mësojnë këshilla të vlefshme për paketimin e valixhes: „Një dokument i tillë është pra i rëndësishëm, këpucët kanë rëndësi, tableta kundër diaresë gjithashtu; syzet e diellit rekomandohen shumë...dhe mbathje komplet, gjithmonë 100 % prej pambuku.“

Ato janë më të mira për lëkurën, kur mbi pelegrinët bie dielli i nxehtë. Dhe sipas zakonit gjerman, Karahanci jep këshilla edhe për ushqimin e shëndetshëm:

„Ajo që do të këshilloja unë është peksimadhja. Kjo është bukë dhe bukë të zezë në botën arabe për fat të keq nuk ka.“

Autor: Elisabeth Jahn/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama