1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mursi tenton pajtimin

Në mosmarrëveshjen midis vëllazërisë myslimane dhe demonstruesve, presidenti i Egjiptit ndryshon pjesërisht qendrimin. E paqartë mbetet nëse demonstruesit opozitarë do të ndërpresin demonstratat.

Presidenti i Egjiptit, Mursi

Presidenti Mursi

Në thelb, konflikti vazhdon të ekzistojë. Dialogu i shpallur nga presidenti Mursi me opozitën nuk u realizua. Shumica e rreth 50 pjesëmarrësve në "takimin e dialogut" të Mursit ishin islamistë. Sepse drejtuesit kryesorë të opozitës e patën bojkotuar takimin. Ajo që ofronte presidenti atyre u dukej e pamjaftueshme. Në vend të kësaj ata kërkuan sërish tërheqjen e dekretit të autorizimit, të paktën një shtyrje të referendumit të kushtetutës si dhe krijimin e një asambleje të re kushtetuese. Ajo që morën tani ishte tërheqja e dekretit të vjetër dhe shpallja e një dekreti të ri. Në bazë të dekretit të ri, Mursi nuk do të ketë fuqi diktatoriale dhe vendimet e tij do të jenë në parim të nënshtruara ndaj drejtësisë. Ajo që vlerësohet pozitivisht është që në çdo rast do të ketë zgjedhje. Nëse do të pranohet kushtetuta, do të pasojnë zgjedhje parlamentare. Nëse kushtetuta refuzohet, atëherë nga populli do të zgjidhet një asamble kushtetuese. Por pilula e helmit për opozitën mbetet fakti që Mursi do t'i përmbahet referendumit kushtetutes të shpallur për datën 15 dhjetor. Ky referendum ishte shkaku kryesor pse Mursi lëshoi të ashtuquajturin dekret të autorizimit.

Megjithë lëshimin pe, duket se Mursi mbetet në anën e fituesve në konfliktin aktual. Nën presionin e ushtarakëve dhe vazhdimit të protestave nëpër rrugë, ai nga njëra anë demonstron gatishmëri për kompromis. Por kërkesa e tij qendrore mbetet e pandryshuar. Nëse opozita do të mbetet e bashkuar dhe do t'i vazhdojë protestat e saj, kjo mbetet të shihet. Tani asaj i duhet të vendosë nëse do të marrë pjesë në konfrontimin total me Mursin - apo do të marrë pjesë në referendum.

Gratë protestojnë kundër Mursit

Gratë protestojnë kundër Mursit

Kuptim problematik i demokracisë nga vëllezërit myslimanë

Sidoqë të jetë, hendeku midis islamistëve dhe laikëve është theksuar shumë për shkak të konfliktit aktual. Dhuna shënoi një cilësi të re në këtë mosmarrëveshje. Shkaqet e këtij zhvillimi janë të thella: një rol të madh në ngjarjet e tanishme luan kuptimi për demokracinë që ka vëllazëria myslimane. Shumica e anëtarëve drejtues të kësaj vëllazërie e shohin demokracinë si një sundim të shumicës së zgjedhur. Abdel Moati Zaki Ibrahim, një funksionar i vëllazërisë myslimane, e përshkruan kështu kuptimin e demokracisë. "Një demokrat i vërtetë duhet të respektojë vetëm rregullat e lojës demokratike. Rregulla të lojës demokratike janë zgjedhjet dhe vendim përmes zgjedhjeve."

Në bazë të kësaj logjike, vëllezërit myslimanë janë të vetmit që vendosin, pasi sigurojnë shumicën absolute të votave. Prandaj politika e vëllezërve myslimanë pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale është karakterizuar rrallë nga kompromiset me partitë laike. E kjo sjellje politike është shumë e rrezikshme në Egjiptin e pasrevolucionit: Mursi mezi arriti të marrë 51% të votave në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Egjipt. Dhe shumë egjiptianë nuk do t'ia kishin dhënë kurrë votën Mursit, sikur kandidati alternativ të mos kish qenë kryeministri i fundit i Mubarakut, Ahmed Schafik.

Gjithsesi: edhe sikur të vijë puna deri te referendumi dhe të pranohet kushtetuta: konflikti në vend pritet të vazhdojë.

Autor: Michael Borges/ Auron Dodi