1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët përfshihen në policinë e Kosovës

Bekim Shehu12 Dhjetor 2013

Agjencia Kosovare e Inteligjencës, AKI, po verifikon pjesëtarët e MUP-it serb që do të përfshihen në policinë e Kosovës. Përfshirja e serbëve të veriut në policinë e Kosovës është pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

https://p.dw.com/p/1AXsn
Kosovo Polizei Polizist mit Logo in Mushnikovo
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjatë kësaj jave përfundimisht pritet të hartohet lista e pjesëtarëve të komunitetit serb nga veriu i Kosovës të cilët do të jenë pjesë e policisë së Kosovës në veri. Përfshirja e tyre në policinë e Kosovës është pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Ministri pa portofol për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, bisedoi në Leposaviq me të ashtuquajturit pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë “MUP”, të cilët parashihet të inkuadrohen në policinë e Kosovën. Aleksander Vulin, tha se “integrimi i pjesëtarëve të veriut të MUP-it serb, do të jetë 100 përqind, citojnë mediat lokale serbe”.

Pjesëtarët e MUP-it serb në policinë e Kosovës

“Serbët në Kosovë tashmë e kanë pranuar integrimin, për shkak se këtë e ka kërkuar qeveria e Serbisë. Pjesëtarët e MUP-it të Republikës së Serbisë do ta pranojnë integrimin në policinë kosovare për shkak se ata e respektojnë shtetin dhe qeverinë e tyre dhe ata në të ardhmen e afërt do të marrin përkujdesjen për fatin e serbëve të Kosovës”, citojnë mediat lokale serbe, Aleksander Vulin. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka konfirmuar se në takimin e fundit me homologun e tij serb Ivica Daçiq, janë përmbyllur siç thotë ”çështjet sa i përket integrimit të serbëve në policinë e Kosovës”.

Kosovo feiert fünften Jahrestag seiner Unabhängigkeit in Pristina
Trupat e Policiisë së Kosovës duke parakaluar në PrishtinëFotografi: Reuters

“Nuk ka më çështje të diskutueshme apo të hapura. Të gjitha janë krejt të qarta. Mund të fillojë integrimi i serbëve në policinë e Kosovës për të gjithë njerëzit që dëshirojnë të integrohen”, pati deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit të fundit me Daciqin që zhvilloi në Bruksel, duke mos e saktësuar, nëse pjesëtarët e MUP-it serb mund të përfshihen në policinë e Kosovës.

Përfshirja e MUP-it serb në polici vendim politik

Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se tashmë përfshirja e pjesëtarëve të MUP-it serb në policinë e Kosovës është vendim politik. Florian Qehaja, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, i tha DW, se “nuk përbën ndonjë risi fakti që formacione të caktuara që kanë luftuar kundër Kosovës të jenë integruar më vonë në institucione legjitime”. “Për mua janë brengosëse modalitetet e përfshirjes së tyre. Nuk dihet saktë se a do të jetë verifikim i sigurisë i bërë nga institucionet vendore (ne këtë rast AKI) definitiv në përzgjedhjen e këtyre policëve. Unë druaj që do të ketë presion ndërkombëtar lidhur me këtë. Pastaj fjala është për kritere të cilat assesi nuk bën të zvogëlohen”, thotë Florian Qehaja.

Mediat lokale serbe shkruajnë se tashmë rreth treqind pjesëtar të komunitetit serb të komunave të veriut, pjesëtar të MUP të Serbisë, do të përfshihen në Policinë e Kosovës. Madje sic thuhet, ata do të përzgjidhen nga autoritet në Serbi. Florian Qehaja, thotë se kriteret e përzgjedhjes së policëve serb të veriut duhet të jenë të njëjta më ato të përzgjedhjes së policëve e tjerë. "Duhet të inkorporohen pjesëtarët e moshës se re, sepse edhe ashtu reforma e policisë kërkon nevojën e "rinimit" të policisë së Kosovës duke pasur parasysh se ka një mesatare të vjetër. Mos të flasim për kriteret profesionale e shkollore. Numri prej 330 pjesëtarëve është i madh dhe do të ketë refleksione në funksionimin edhe ashtu të dobët të policisë së Kosovës”, thotë Florian Qehaja.

Kosovska Mitrovica - Stadt im Kosovo
Qyteti i MitrovicësFotografi: DW/R. Alija

AKI, verifikon pjesëtarët e MUP-it serb

Drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, që raportoi në komisionin parlamentar që e mbikëqyr këtë agjenci, u fokusua pikërisht në verifikimi i pjesëtarëve të MUP-it serb në organet e sigurisë së Kosovës. Drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, nuk foli pas takimit, por, kryetari i Komisionit parlamentar që mbikëqyrë Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, AKI, Florin Krasniqi tha se ”Smakaj ka deklaruar se është duke u bërë verifikimi i pjesëtarëve të MUP-it serb, ku pjesa dërmuese e strukturave komanduese apo udhëheqëse të nivelit të lartë, kanë rënë në test, duke bërë kështu mos kalimin e verifikimit”, tha Florin Krasniqi.

Sidoqoftë, këtë të premte (^13.12) në Bruksel do të takohen sërish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daciq, ku temë qendrore e diskutimit do të jetë edhe çështja e gjykatave në veri të Kosovës dhe formimi i asociacionit të komunave serbe. Nëse ka një dakordim nga të dy palët edhe për këto dy çështje, atëherë mediat në Prishtinë shkruajnë se po i vjen edhe fundi i dialogut Kosovë-Serbi që ka të bëjë me veriun e Kosovës.