1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mungesa në planifikimet e hekurudhave evropiane

2 Dhjetor 2010

Hekurudhat për trena me shpejtësi të madhe mund të ndërtohen vetëm atje ku me të vërtetë ka nevojë. Kështu pohon Zyra e Kontrollit të Lartë Evropian, në një raport ku analizohen projektet me shuma miliardëshe.

https://p.dw.com/p/QNav
Trenat me shpejtësi të lartë.Fotografi: AP

Bashkimi Evropian mbështetë qarkullimin hekurudhor në mbarë Evropën. Por rrjeti i fuqishëm i qarkullimit hekurudhor po rritet ngadalë. Këtë vërejtje e bën edhe Henri Grethen nga Zyra e Kontrollit të Lartë Evropian.

„Qarkullimi hekurudhor gjendet para sfidave të mëdha. Vëllimi i transporteve do të duhej të rritej në dekadat e ardhshme, në veçanti sa i përket transportit të mallrave, por hekurudhat megjithë qarkullimin më efikas dhe megjithë ruajtjen e mjedisit, nuk do të shënojnë ndonjë rritje të madhe“, tha ai.

Flash-Galerie Wochenrückblick KW 3 2010 Schienen Deutsche Bahn Schienennetz Schienenverkehr Zug Züge
Dallime të mëdha në kualitetin e hekurudhave.Fotografi: picture-alliance/dpa

Po pse nuk do të shënohet ndonjë rritje, në qoftë se hekurudhat kanë kaq shumë përparësi? Grethen mendon se kjo ka të bëjë me faktin që hekurudhat janë nën kompetencat e shteteve dhe jo Bashkimit Evropian. Dhe kjo ka pasojat e veta.

„Në rrjetet hekurudhore të shteteve të ndryshme ka dallime, zbraztësira dhe mungesë koordinimi. Një pjesë e infrastrukturës është shumë e vjetër dhe duhet të ndërrohet. Në shumë vende duhet të ndërtohen tunele, ura apo hekurudha të reja, që kushtojnë me miliarda euro“, shpjegon Grethen.

Kur bëhet fjalë për shuma kaq të mëdha, atëherë secili e mendon mirë se a ka llogari të investohet. Këtë llogari e bëjnë edhe përfaqësuesit nga Zyra e Kontrollit të Lartë Evropian, në projektet që bashkëfinancohen nga buxhetet e BE-së. Rezultati është: ia vlenë të investosh gati në të gjitha projektet, por ka mundësi edhe për përmirësime.

Në një pjesë kursen në tjetrën shpenzon

Gareth Roberts këtë e shpjegon me një shembull në hekurudhën Berlin-Palermo. „Qërkullimi i shpejtë mes Nyrembergut dhe qytetit Ingolstadt në Gjermani i kursen udhëtarit 25 minuta. Por në të njëjtën hekurudhë, në stacionin kufitar mes Austrisë dhe Italisë, në Alpe bëhet kontrolli teknik i mallrave, ndonëse një kontroll i njëjtë është bërë pak orë më parë në Mynih. Kontrolli zgjatë poashtu 25 minuta", shpjegon ai.

Europäisches Parlament Hans-Peter Liese
Peter LieseFotografi: Europäisches Parlament

Roberts ka konstatuar se në këtë rast mungon koordinimi mes autoriteteve të shteteve të ndryshme. Deputeti kristiandemokrat Peter Liese pohon se shpesh mungon edhe vullneti politik për bashkëpunim. Ai shpreson se gjërat do të ndryshojnë.

„Komisioni Evropian do ta bëjë këtë. Por për fat të mirë ekzistojnë edhe iniciativa ekonomike në këtë drejtim, sepse ne nuk mund të ndërtojmë aq shumë rrugë sa na duhen për të zgjidhur këtë problem. Prandaj duhet shtuar edhe presionin ndaj politikës", pohon ai.

Një shembull tipik paraqet ndërtimi i hekurudhës së shpejtë nga Gjermania deri në Bruksel, e cila ka zgjatur katër vite. Para pak kohe qarkullimi i trenave me shpejtësi të lartë ka filluar edhe drejt Londrës, që do të thotë se gjëra megjithatë po lëvizin.

Autor: Christoph Hasselbach/Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj