Mungesa e shtatë anëtarëve të Gjykatës së Lartë në Shqipëri po pengon punën e këtij institucioni
4 Qershor 2008Thimio Kondi është emëruar në postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë në Shqipëri në 7 qershor të vitit 1999 dhe pas disa ditësh i mbaron mandati në këtë post. Por si dhe ai janë dhe 6 anëtarë të kësaj Gjykate, gjë që e vështirëson aktivitetin normal të institucionit, në rast se nuk bëhen zëvëndësimet. Disa dekrete të presidentit Bamir Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë janë dërguar në parlament para një muaji, por procesi i diskutimit dhe votimit të tyre është i bllokuar.
Kondi: pengohet puna, ndaj sa më parë një mirëkuptim zëvëndësimet
Thimio Kondi, pak para largimit nga detyra nuk fsheh pakënaqësinë për acarimin e marrëdhënieve mes parlamentit dhe presidentit për zëvëndësimin e anëtarëve të Gjykatës, pasi kjo po bëhet pengesë për bllokimin e dosjeve që janë në shqyrtim.
"Dosje ka shumë dhe kjo pengon punën, por shpresoj që mes dy institucioneve të gjehet sa më parë një mirëkuptim për të bërë zëvëndësimet e shtatë vendeve vakant", deklaron Kondi.
Ministri Alibeaj: rotacioni në Gjykatën e Lartë nuk pengon punën
Por Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj mendon se rotacioni në Gjykatën e Lartë nuk pengon punën. "Njihet ligjërisht procesi i zëvëndësimit të atyre gjyqtarëve të cilëve ju mbaron mandati i ushtrimit të detyrës me ata që mandatohen rishtaz", thotë ministri duke argumentuar me faktin e periudhës kohore që i duhet një çështjeje të hetohet në këtë Gjykatë, periudhë që shkon në afër 1 vit, dhe duke lënë të nënkuptohet se vonesat aktuale të zëvëndësimit nuk përbëjnë problem.
Deputeti Ngjela: vonesa e emërimeve në Gjykatën e Lartë - përpjekje e kryeministrit për ta vënë nën kontroll këtë institucion
Por deputeti Spartak Ngjela e shikon vonesën e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, sic thotë ai, si një përpjekje e kryeministrit Sali Berisha për ta vënë nën kontroll këtë institucion. "Atij i duhet Gjykata për të shpëtuar Fatmir Mediun", thotë Ngjela duke shtuar se "çështja e ish-ministrit të mbrojtjes do të vijë në Gjykatën e Lartë dhe për këtë kryeministrit i duhet një pafajësi e dhunshme".
Opozita ndërkohë po kërkon që çështja e dekreteve të presidentit Topi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së lartë të diskutohet dhe votohet në parlament të hënën e ardhshme.