Gjermania ka problem serioz me mungesën e organeve të dhuruara
4 Janar 2013Dhurimi i organeve është një çështje besimi. Njerëzit vendosin t'i dhurojnë organet vetëm nëse u besojnë mjekëve dhe një sistemi të drejtë të adminsitrimit të organeve të dhuruara. Mirëbesimin e kanë dëmtuar shumë skandalet e fundit në Gjermani. Në klinikën universitare të Lajpcigut mjekët kanë falsifikuar duke i paraqitur pacientët si në dializë, me qëllim që ata të jenë sa më lartë me prioritet në listën për transplantimin e organeve.
Përgjegjëse për ndërmjetësim në transplantimin e organeve në Gjermani është organizata ndërkombëtare "Eurotransplant". Në selinë e saj në Leiden të Holandës përpilohet një listë e pritjes në bazë të të dhënave të pacientëve. Eurotransplanti e bën listën në bazë të të dhënave të ndryshme mjejkësore dhe më pas vendoset se cilat janë rastet më emergjente. Fondacioni gjerman për Transplantimin e Organeve (DSO) koordinon procesin e marrjes së organeve nga pacientët, që duann t'i dhurojnë ato, në momentin kur konstatohet vdekja e trurit. Vdekja duhet të konstatohet nga dy mjekë të tjerë, të cilët nuk kanë të bëjnë me nxjerrjen e organeve. Vetëm kur ata të konstatojnë vdekjen, i vdekuri mund të konsiderohet si dhurues organesh. E tërë procedura kontrollohet nga Komisioni i përhershëm për Transplantimin e Organeve, i cili ekziston pranë Dhomës së Mjekëve në Gjermani.
Mangësitë e mëdha me shpërndrajen e organeve të dhururara
Në Gjermani presin për dhurim organi (sipas të dhënave të DSO), rreth 12.000 pacientë. Ndërkohë që gjatë vitit 2012 ka pasur vetëm 2777 donacione të organeve. Për ta rritur gatishmërinë për dhurimin e organeve, në tetor të vitit 2012, hyri në fuqi një ligj i ri. Edhe në këtë ligj ekzistojnë rregullat, sipas të cilave organet nga një i vdekur mund të merren vetëm nëse ai ka dhënë pëlqimin sa ka qenë gjallë, ose nëse me këtë janë dakord anëtarët e familjes, pas vdekjes së tij. Por ligji i ri parashikon edhe rregullin që entet e sigurimit t'u dërgojnë letra të siguruarve dhe t'i pyesin nëse ata janë të gatshëm të dhurojnë organet e tyre, pas vdekjes.
Theodor Windhorst, kirurg nga Bilefeldi dhe anëtar i Fondacionit për Transplantimin e Organeve, mendon se ligji nuk e rregullon si duhet këtë lëmi. "Njerëzit nuk detyrohet të mendojnë më seriozisht për këtë çështje. Shumë letra ndoshta edhe nuk hapen fare ndaj ata edhe nuk janë fare të informuar për këto gjëra", thotë ai. Disa ente të sigurimit nuk u kanë dërguar fare letra të siguruarve të tyre, pas skandaleve të fundit me transplantimin e organeve.
Rregullat e paqarta
Në dallim nga Gjermania, ku duhet të jepet pëlqimi, në disa vende të tjera ekziston rregulli i refuzimit. Do të thotë: në këto vende është parimisht e lejuar që të merren organet prej të vdekurve, nëse ata gjatë jetës nuk kanë deklaruar me shkrim se nuk duan t'i dhurojnë organet e tyre.
Spanja është vendi me nivelin më të lartë të dhurimit të organeve në botë. Sipas të dhënave të DSO, në Spanjë ka 32 dhurues në një milion vetë. Ndërsa në Gjermani mesatarja është 15,8, që do të thotë gjysma. Niveli më i ulët i organeve të dhuruara është në Brazil dhe në Luksemburg, me 9,9 respektivisht 6,0 donatorë në një milion.
Shkaqet janë të ndryshme. Günter Kirste nga bordi udhëheqës i DSO-së thotë se problemi më i madh nuk janë rregullat ligjore: "Në Austri ku prej vitesh ekziston rregulli i refuzimit, niveli i donacionit të organeve është në disa rajone më i ulët se në Gjermani." Kirste beson se shumë donatorë në Gjermani nuk duan t'i bëjnë emrat e tyre publik. Ai propozon që autoritetet për transplantimin e organeve të njoftohen prej spitaleve për secilin rast, kur konstatohet vdekja e trurit. Një praktikë e tillë ka dhënë shumë sukses në Spanjë.
Ligji i ri në Gjermani duket se nuk ka ndihmuar për rritjen e numrit të donatorëve. Përkundrazi, në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar aka rënë numri i donatorëve. Ndaj debatet për përmirësimin e gjendjeve do të vazhdojnë.