1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Buxheti i BE-së - Debat maratonë dhe kërcënime me veto

AG/Angelina Verbica22 Nëntor 2012

Gjermania dhe shtete të tjera duan ta reduktojnë projektbuxhetin e Komisionit të BE-së. Nuk përjashtohet dështimi i negociatave.

https://p.dw.com/p/16nz9
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në takimin e posaçëm të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të 27 vendeve të BE-së pritet një debat maratonë lidhur me kuadrin e përbashkët financiar për periudhën 2014 - 2020. Qysh në vigjilje të samtit për buxhetin disavjeçar të BE-së disa vende kanë kërcënuar me veto. Qeveria gjermane nuk e përjashton më mundësinë e dështimit të negociatave. Të enjten pasdite në Bruksel (22.11.2012) para fillimit të takimit, kancelarja Angela Merkel theksoi se kryetarët e shteteve të BE-së në takimin e tyre nuk do të arrijnë të bien dakord për planifikimin e buxhetit. Gjermania dhe shtete të tjera duan ta reduktojnë projektbuxhetin e komisionit të BE-së, që kap shumën e afro një bilion eurove.

Shpërdorime apo plane zhvillimore?

Në tryezë është parashtruar propozimi i Komisioni të BE-së për një buxhet të përgjithshëm mbi një bilionë euro. Janë kryesisht shtetet e pasura kontribuese neto që duan ta ulin shumën me së paku 100 miliardë. Argumenti i tyre është se në një kohë, kur buxhetet kombëtare shkurtohen, nuk mund të bëhen më shumë shpenzime në nivel evropian. Komisioni dhe Parlamenti Evropian nga ana tjetër thonë se BE-ja po merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi, prandaj duhet të pajiset me më shumë mjete financiare. Pastaj buxheti i përbashkët është një program gjigand zhvillimor dhe investues, që pikërisht në kohë krizash është i domosdoshëm. Kritikët e vendimit nga ana tjetër e kuptojnë ndoshta parimisht argumentin e zhvillimit, por disa dyshojnë se BE-ja nuk i shfrytëzon paratë me efikasitet dhe mungon kontrolli efektiv. BE-ja ka prirje për shpenzime të tepruara dhe prandaj investimet janë më të sigurta në nivele kombëtare, thonë ata.
Por kundër shkurtimeve më të mëdha janë përfituesit e fondeve të BE-së në Evopën Lindore. Në thelb është kështu: Netopaguesit e pasur, pra ata, që japin më shumë para nga sa marrin, duan të kursejnë. Më të varfërit, që më shumë marrin se sa japin, duan një buxhet më të madh.

Kërcënime me veto nga të gjitha anët

Ndërsa Britania e Madhe, është vendi i vetëm, që në vend të një rritjeje të lehtë ka kërkuar madje shkurtim të buxhetit të BE-së. Po të ishte për kryeministrin David Cameron ai do ta shkurtonte buxhetin më fort se Gjermania. Gazeta ditore britanike "Financial Times" njofton, se kryeministri David Cameron është i gatshëm të pranojë një kufi maksimal prej 940 miliardë eurosh. Cameron do të luftojë për vazhdimin e rabatit britanik, siç e konfirmoi edhe një herë pas mbërritjes së tij në Bruksel.

Edhe paguesit e tjerë neto përfitojnë rabat, edhe Gjermania. Dhe kush e përfiton atë, do edhe ta mbajë. Presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy ka bërë propozime kompromisi, për të shkurtuar për shembull shpenzimet agrare, që kanë pikërëndesën kryesore në buxhet. Franca ka kërcënuar me veto në drejtimin e kundërt. Që do të thotë, se Franca do ta bllokojë buxhetin, sikur këto propozime për kursime të hynin në fuqi. Fshatarët në Francë përfitojnë veçanërisht nga subvencionet agrare. Gjithsej një e treta e të gjitha qeverive kanë kërcënuar në mënyrë pak a shumë të hapur me veto.

David Cameron në Bruksel
David Cameron në BrukselFotografi: Reuters