1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Moska forcon kontrollin e internetit

Sipas një ligji të ri firmat duhet të ruajnë të dhënat personale të qytetarëve rusë në serverat lokalë. Kritikët kanë frikë se kjo i jep shtetit në dorë një mjet të fortë kontrolli.

Që nga rizgjedhja e presidentit Vladimir Putin në vitin 2012 ligji i fundit është vetëm më i riu në një seri të tërë masash mbikqyrëse të qeverisë. Pas zbulimeve të Edward Snowden-it për spiunazhin e gjerë të shërbimeve sekrete amerikane ligji, sipas autoriteteve ruse, do të ndihmojë për të mbrojtur më mirë të dhënat e qytetarëve rusë.

Por kritikët thonë se ligji do t'ia lehtësojë shtetit rus në rradhë të parë spiunimin e qytetarëve të vet. "Askush nuk i ka kërkuar shtetit të mbrojë të dhënat e qytetarëve rusë, iniciativa erdhi nga qeveria", thotë gazetari investigativ Andrei Soldatov, i cili ka shkruar shumë për shërbimet e fshehta ruse.

Akses mbi te dhënat nga dera e pasme?

Rusia do të forcojë kontrollin mbi internetin

Rusia do të forcojë kontrollin mbi internetin

"Ne kemi një sistem mbarëkombëtar të monitorimit të internetit dhe tani kemi një ligj të veçantë. Ai kërkon nga të gjithë ofruesit rusë, që t'u krijojnë shërbimeve sekrete ruse një qasje të drejtpërdrejtë dhe të pakufizuar, nga dera e pasme", thotë Soldatov për Deutsche Wellen. "Kjo do të thotë që, nëse ofruesit ndërkombëtarë zhvendosin shërbimet e tyre në Rusi, shërbimet ruse të zbulimit kanë qasje të menjëhershme në të dhënat e këtyre platformave globale."

Këtë mendim ka edhe Laura Reed e organizatës jo-qeveritare ndërkombëtare "Freedom House". "Freedom House", me seli Uashington, ka për qëllim të mbështesë demokracitë liberale në mbarë botën. "Ka të dhëna se qeveria ruse përdor mundësitë e saj survejuese kundër aktivistëve të drejtave të njeriut dhe opozitarëve", thotë Reed për DW.

Deri tani është e paqartë, nëse firmat kanë rënë dakord të transmetonjë të dhënat e qytetarëve rusë në serverat në Rusi. Autoriteti rus i mbikëqyrjes së komunikimit Roskomnadsor ka njoftuar se gjatë këtij viti do të kontrollojë rreth 300 kompani, por në një e-mail për DW ai deklaroi se në mesin e tyre gjenden edhe Google dhe rrjeti social Facebook.

Sistemi i frikësimit

"Qëllimi i këtij ligji nuk është zbatimi i menjëhershëm, por synimi për të patur në dorë një mjet presioni në fushën e internetit dhe mediave sociale", thotë Soldatov. "Sistemi rus i kontrollit të internetit është për futur frikë."

Kremlini i ka ftuar firmat për bisedime, thotë Soldatov. "Dhe Kremlini ka patur mjaft sukses. Gjatë dy viteve të fundit, të tri kompanitë e mëdh, Twitter, Facebook dhe Google kanë dërguar përfaqësues të lartë për bisedime sekrete në Moskë."

Thuhet se Facebook u ka deklaruar autoriteteve ruse se nuk do të veprojë në përputhje me ligjin e ri, ndërsa Google thuhet se ka spostuar disa server në Rusi. Facebook nuk e pranoi kërkesën tonë për të komentuar, ndërsa Google nuk reagoi aspak. Një zëdhënës i Twitter na dërgoi një link në lidhje me një deklaratë të Roskomnadsor me njoftimin se autoriteti i kontrollit nuk i konsideron të dhënat për përdoruesit e Twitterit si informacione personale në sensin e ligjit.

Kjo nuk të habit shumë, thotë Laura Reed e "Freedom House", "për shkak se Twitter është një kompani, ndaj së cilës qeveria ka bërë dikur presion". Vetëm vitin e kaluar qeveria ruse vendosi që kushdo, që ka më shumë se 3.000 ndjekës në twitter, duhet të regjistrohet në qeveri me emrin e tij të vërtetë. "Shqetësimi është," thotë Reed, "se qeveria e zbaton një ligj të tillë në mënyrë selektive."

"Dialog konstruktiv" me Facebook

Autoritetet do të kenë qasje në të dhënat e facebook dhe goolge

Autoritetet do të kenë qasje në të dhënat e facebook dhe goolge

Në një intervistë me gazetën ruse të internetit "Lenta" shefi i Roskomnadsor Alexander Sharov konfirmoi së fundi, se ka patur një takim me përfaqësuesit e Twitter dhe Facebook. Ai mohoi megjithatë se Facebook-u ka refuzuar transferimin e të dhënave personale në Rusi.

"Biseda u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe ne presim që Facebook shumë shpejt të realizojë premtimin e tij që të bëjë të ditur një pozicion formal mbi transferimin e të dhënave të klientëve rusë në serverat në Rusi", u shpreh Roskomnadsor në një e-mail.

Sipas Soldatov ligji është mjaft i paqartë. Për më tepër është e paqartë, se si kompanitë do të dallojnë të dhënat mbi qytetarët rusë nga ato jorusë. Si duhet ta dinë për shembull rrjetet sociale, se dikush me një emër që tingëllon rus, që jeton në Gjermani, është shtetas rus?

Karta bianca për politikanët?

Pas protestave për kthimin e Putinit në postin e presidenit Rusia në nëntor 2012 vendosi një censurë të kontestueshme interneti, që i lejon shtetit të mbyllë faqet e internetit pa vendim gjykate. Javën e kaluar Rusia bllokoi për një kohë të shkurtër qasjen në versionin në gjuhën ruse të Wikipedias, sepse kompania kishte refuzuar të hiqte nga rrjeti diçka lidhur me një drogë. Rusia ka bllokuar edhe qasjen në faqet e internetit të opozitës dhe në blogjet e politikanit tëopozitës, Alexei Navalny.

Dhe gjendja mund të bëhet më e keqe: Në 2016 do të hyjë në fuqi një "ligj i ri për harresën". Ai do të shkojë përtej legjislacionit përkatës europian, sepse versioni rus nuk përjashton personalitete të jetës publike. "Ekziston shqetësimi që politikanët do ta përdorin këtë si karta bianca për të fshirë informacionin në lidhje me to nga rezultatet e kërkimit", thotë Laura Reed.

Është e paqartë, nëse dhe kur qeveria do të zbatojë plotësisht ligjin për transferimin e të dhënave në server. Por duket se përpjekja për të frikësuar bën efekt. "Është shumë më e lehtë për të trembur kompanitë se sa mijëra e përdorues", thotë Soldatov. "Sepse në qoftë se ke të bësh me përdoruesit, duhet të jesh shumë i zhdërvjellët në njohjen e teknologjisë. Te firmat duhet të gjesh vetëm anën e tyre të dobët."