1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moers: Kosova mund të funksionojë si shtet

Cani, Bahri10 Janar 2008

Ka dhe shembuj të tjerë si Kosova që mund të funksionojnë si shtete, pa qenë anëtare të plotfuqishme të OKB, pohon drejtuesi i Institutit për politika të aplikuara, Wim van Moers.

https://p.dw.com/p/CnXY
Fotografi: AP

"Është me rëndësi që në këtë periudhë vendimtare Kosova të ketë një koalicion të gjerë. Ndërsa zgjedhja e Hashim Thaçit si kryeministër, është për bashkësinë ndërkombëtare një sinjal i qartë se Kosova synon që statusin ta zgjidh me mjete paqësore, sepse ai radhitej më parë ndër forcat radikale", pohon drejtuesi i Institutit për politika të aplikuara, Wim van Moers.

DW: Qeveria e re e Kosovës ka paralajmëruar se së shpejti do të realizojë ëndrrën e kosovarëve për pavarësi. Pozicionet e SHBA dhe Rusisë janë të qarta. Po çfarë duhet të bëjë BE?

Moers: "Mendoj se tani më është e qartë se politika e BE do të shkojë në dy drejtime. Pavarësinë e Kosovës nuk do ta njohin të gjitha shtetet anëtare, por pas samitit të dhjetorit u bë e qartë se të gjitha vendet e kanë pranuar dërgimin e misionit evropian në Kosovë. Kjo duket si kundërthënëse, por në aspektin diplomatik është ndoshta zgjidhja e vetme."

DW: Serbia dhe Rusia kanë kërkuar vazhdimin e negociatave, ndërsa kosovarët dhe perëndimorët e kanë kundërshtuar. A ekziston për Kosovën ndonjë zgjidhtje tjetër përveç shpalljes së pavarësisë?

Moers: "Për Kosovën me siguri që jo, sepse ky proces ka zgjatur tepër. Kur u vendos që t'u jepet fund bisedimeve, ishte plotësisht e qartë se pavarësia e mbikqyrur mbetet zgjidhja e vetme."

DW: Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica e ka kërcënuar BE-në se nuk do ta nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim, në qoftë se në Kosovë dërgohet misioni evropian. A është në gjendje Serbia ta evitojë dërgimin e këtij misioni në Kosovë?

Moers: "Nuk shoh mundësi të mëdha për Serbinë e as për Rusinë, që ta evitojnë dërgimin e këtij misioni. E vetmja që mund ta evitojë strategjinë evropiane dhe amerikane për Kosovën është shpërthimi atje i dhunës masive midis shqiptarëve dhe serbëve. Në një rast të tillë vështirë që do të mund të pranohej pavarësia e Kosovës. Mirëpo vetë misioni i BE është në kuadër të Rezolutës 1244 të KS dhe nën mbikqyrjen e OKB. Prandaj nuk mund të ketë pengesa të mëdha."

DW: Shumica e vendeve kanë paralajmëruar se do ta njohin pavarësinë e Kosovës, por shtrohet pyetja nëse ky shtet mund të funksionojë normalisht, kur dihet se do të ketë probleme të mëdha me pranimin në OKB.

Moers: "Ka shembuj të ngjashëm. Për shembull, Tajvani, i cili de fakto është i pavarur dhe funksionon si shtet, por nuk është anëtar i OKB-së. Dallimi i vetëm është se Tajvani është një prej vendeve më të pasura në botë, ndërsa Kosova me siguri që jo. Mirëpo edhe Kosova do të ketë mbështetje masive prej SHBA dhe BE. Prandaj mendoj se Kosova mund të funksionojë si shtet."