"Mission impossible" - Michael Phelps superstari i Lojërave Olimpike
17 Gusht 2008Si fëmijë Michael Phelps ka qenë hiperaktiv. Djaloshit nga Baltimori i duhej të merrte psikofarmaka dhe në moshën 11 vjeç filloi të notojë. Sporti ishte një mundësi për të konsumuar energjitë e tepërta. Qysh i ri Phelps ishte i pandalshëm, një herë brenda dy ditëve ai konkuroi në 24 gara duke pasur sukses. Në moshën 14 vjeç ai u kualifikua për Lojërat Olimpike të vitit 2000 në Sidnej, ku doli në finalen e garës mbi 200 metra baterflai duke zënë vendin e pestë.
Ishte vetëm një çështje kohe, se kur Phelps do të depërtonte në radhët e më të mirëve në botë. Në vitin 2001 15 vjeçari u bë rekordmeni më i ri i të gjitha kohërave. Në të njëjtin vit ai fitoi për herë të parë titullin kampion që tashmë e mban për të nëntën herë.
Në Lojërat Olimpike 2004 në Athinë Phelps iu afrua rekordit të vjetër të bashkëatdhetarit të vet Mark Spitz: duke fituar gjashtë medalje ari, një më pak se Spitz në vitin 1972 në Mynih. Tani në Pekin Michael Phelps e kapi rekordin: tetë fitore në olimpiadë, pesë i ka si i vetëm dhe tre me stafetën për SHBA. Kur Phelps mbërriti në destinacionin e ëndrrave të tij, ai falenderoi kolegët e ekipit të stafetës. "Kjo e gjitha është e mundur vetëm me ndihmën e djemve të tjerë. Vetëm nuk do t´ia kisha dalë. Për fat të mirë unë kam këtu kolegë të mrekullueshëm ekipi. Vetëm kështu mundëm t´i fitojmë të tria stafetat. Ne kemi dalë me rezultat madhështor."
Me 14 medalje të arta Phelps është sportisti më i sukseshëm në hisotrinë e Lojërave Olimpike Verore dhe kjo në moshën 23 vjeçare.
Pavarësisht programit të tij gjigand ai vendosi në Pekin shtatë rekorde botërore. Si është e mundur, shtrojnë pyetjen si profanët edhe ekspertët. Sa i përket fizikut Phelps duket si i prerë për sportin e notit: 1,93 metra i gjatë me peshë 91 kg. Gjatësia e krahëve të tij arrin 2,04 metra. Phelps ka këmbë të madhe me numër këpuce 48,5. Zemra e tij shpërndan 30 litra gjak në minutë në truppin e tij, dy herë më shumë nga sa është normalja. Përveç kësaj ai stërvitet marrëzisht. E shpjegon kjo dominancën e tij të jashtëzakonshme? Dyshimet për doping ai i hedh poshtë, kur pohon, se është i pastër dhe se kjo dëshmohet prej një sërë kontrollesh që kanë rezultuar negativ. Superstari merr pjesë edhe në programin e Agjencisë Amerikane kundër Dopingut, në të cilën merren prova gjaku dhe urine duke i tejkaluar kontrollet normale.