1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Misha Glenny: Borisovi do ta ketë shumë vështirë

8 Gusht 2009

Intervistë me autorin britanik Misha Glenny lidhur me zhvilimet në Bullgari, ku qeveria e re e qendrës së djathtë premtoi luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

https://p.dw.com/p/J621
Boiko Borisovi para sfidave të shumtaFotografi: SA-Vladimir Petkov

Në librin Tuaj "McMafia: Crime without Frontiers" (McMafia: Krime pa kufij), Ju përshkruani me hollësi krijimin e të ashtuquajturave “struktura të pushtetit” që kanë interesa biznesesh të dyshimta. Kur Ju keni hulumtuar për këtë libër, a keni gjetur ndonjë dëshmi se Boiko Borisov ka lidhje me këto struktura?

Glenny : "Nuk kam ndonjë dëshmi të fortë. Ka pasur shumë fjalë rreth kësaj dhe në fakt ai ka qenë I lidhur me një ose dy agjenci sigurimesh. Dhe në atë kohë agjencitë e sigurimeve ishin lokomotiva kryesore e aktivitetit të kriminelëve të organizuar. Por unë nuk mund të them se kam gjetur ndonjë provë konrekrete për Borisovin. "

Boiko Borisov ka qenë dikur një nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme në Sofje. Megjithatë, gjatë viteve që ai ka qenë atje, Në Bullgari ka pasur shtim të vrasjeve që kishin lidhje me gangsterët.


Glenny: "Pikërisht kjo është çështja. Nuk ka asnjë diskutim lidhur me këtë. Kur ishte në post në Ministrinë e Brendshme, rekordi i Borisovit lidhur me zbardhjen e suksesshme të vrasjeve në botën e gangsterëve, është po aq i dobët sa edhe i kujtdo tjetër në rajon. Me përjashtim të vrasjes së Gjingjiqit në Beograd, nuk mund të përmend asnjë rast tjetër të akteve të dhunës së gangsterëve, apo të dhunës së vrasësve, që të ketë rezultuar në ndjekje penale të suksesshme. Kudo qoftë kjo! Në Bullgari, në ish-Jugosllavi apo në Shqipëri e Rumani. Ndaj në këtë kuptim, Ministria e Brendshme bullgare, qoftë edhe nën Borisovin, apo dikë tjetër, nuk ka qenë efektive. Për këtë s' ka asnjë dyshim. "

A ka ndonjë shpjegim, se përse ka pasur një rritje të tillë të vrasjeve ganstere kur ai ishte në ministri?

Glenny: "Unë mendoj se ajo që ka ndodhur në atë kohë kishte të bënte me luftëra të ashpra që zhvilloheshin në botën e gangsterëve. Dhe padyshim flet për këtë rritje të vrasjeve. Kur ka një ose dy vrasje, siç e dini dhe ju [Iliya] Pavlov u vra në vitin 2003, pra kur ka dy ose tri vrasje të figurave me influencë, pothuajse gjithmonë në rrethet e gangsterëve pasojnë luftra të dhunshme, ku njerëzit luftojnë për të plotësuar vakuumin që krijohet pas vrasjes së figurave të njohura. Objekti i pyetjes suaj më jep shkas të them: "Shikoni, për shkak se ai ishte sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendëshme në atë kohë, kur kishte gjithë këto vrasje, atëherë duhet të ketë një lloj lidhjeje në këtë mes". Kjo është një pyetje sugjestive, e cila nuk është e bazuar në ndonjë fakt. "

Por njeriu që nuk mundi ta kufizojë krimin e organizuar si një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendëshme disa vjet më parë, tani është në krye të vendit. Çfarë shansesh ka Bullgaria për ta zgjidhur këtë problem?

Glenny: "Unë mendoj se ai do ta ketë shumë vështirë që t' ia dalë mbanë. Në mënyrë që të bëhet vërtetë diçka kundër krimit të organizuar në Bullgari, kjo do të thotë që të bëhet një rishikim tërësor i ministrive të ndryshme, i mënyrës se si e kryen qeveria detyrën e saj, i mënyrës se si biznesi e bën biznesin. Në qoftë se ai ka synimin të bëjë diçka kundër krimit të organizuar, ashtu siç deklaron, ai duhet ta kuptojë se do të përballet me forca të pushtetshme, të cilave ai nuk është në gjendje t' u kundërvihet me efektivitet. Më duket se problemi i Borisov fillimisht konsiston në faktin se partisë së tij politike, për vetë mënyrën se si është krijuar ajo, i mungon thellësia dhe substanca. Do të thotë se ajo është e dobët, veçanërisht jashtë Sofjes. Megjithatë, ai ka mbështetjen e madhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-së. Ai mund t´u bëjë thirrje atyre për mbështetje të forcave të policisë. Por nëse kjo do të jetë e mjaftueshme apo jo, s' mund ta them. Kur ai ishte brenda Ministrisë së Brendëshme ka pasur një aktivitet të zgjeruar të gangsterëve dhe shumë vrasje, dhe ai nuk ishte në gjendje të punonte me efikasitet. Por tani që ai është kryeministër dhe me qasje në të gjitha ministritë, atëherë ai mund të provojë se është i një kalibri krejt tjetër. Dua të them, se unë gjithmonë e kam konsideruar problemin e krimit të organizuar në Bullgari si një detyrë 15-20 vjeçare: Krimi i organizuar nuk mund të zhduket brenda natës, sepse në të janë të ndërthurura shumë interesa ekonomike. "

Si mendoni Ju, nga duhet t' ia nisë pikërisht Boiko Borisovi, nëse ai dëshiron të dëshmojë, se vërtetë e ka seriozisht me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit?

Glenny: "Partitë politike duhet të çlirohen prej varësisë nga interesat ekonomike. Mendoj se kjo do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Për këtë është i nevojshëm legjislacioni dhe është e nevojshme që ai të zbatohet. Por vendi i parë ku unë do ta nisja punën janë ministritë - veçanërisht Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendëshme. Ai duhet ta nisë luftën ndaj korrupsionit në këto ministri si dhe në ministritë e ndryshme ekonomike."

Autor: Emylian Lillov

Redaktoi: Bahri Cani