Miratohet nga kongresi dhe nënshkruhet nga presidenti Bush paketa për shpëtimin e financave të SHBA
4 Tetor 2008Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA miratoi të premten paketën miliardëshe të shpëtimit për degën e financave. Kjo ishte hera e dytë kur paketa u hodh në votim, pas dështimit të bujshëm dhe të papritur në kongres të hënën. Me 263 vota pro dhe 171 kundër Dhoma e Deputetëve dha miratimin e saj, duke e kaluar pas ditëve të tëra të negociatave planin e debatuar të ndihmave për nënshkrim te presidenti i SHBA. Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi tha pas votimit:
"Kaq shumë vetë nga udhëheqësit tanë ishin pjesë e këtij suksesi, e këtij legjislacioni sot. Unë nuk mund të them se ne po e festojmë suksesin, sepse jam e bindur se mund të kishim miratuar një paketë shumë më të mirë në rrethana të tjera, por këto nuk ishin rrethanat në të cilat u ndodhëm."
Ndërsa shefi i fraksionit të shumicës demokrate, Steni Hojër (Hoyer) u shpreh:
"Dështimi nuk qe opsion... Unë jam i kënaqur që Dhoma e miratoi këtë paketë ekonomike esenciale për rindërtimin"
Menjëherë pas miratimit të premten në darkë, presidenti Bush e nënshkroi ligjin. Të enjten në mbrëmje ai i paralajmëroi edhe njëherë me forcë deputetët që të mos e linin të dështonte paketa. Pas kësaj shteti mund t'u blejë instituteve financiare në vështirësi letrat thuajse të zhvlerësuara të hipotekave, për të stabilizuar sistemin financiar.
Tregu njujorkez i aksioneve reagoi në mënyrë miqësore për nënshkrimin, por jo me eufori. Gjatë votimit, kur u bë e qartë se paketa do të miratohej, Indeksi i Dau Xhonsit shtoi rreth 300 pikë. Pas vendimit, barometri i bursës ra sërish, pas marrjes së fitimeve.
Bursa e Nju Jorkut pati marrë të tatëpjetën pas dështimit të një versioni të paketës për të marrë votat e nevojshme nga kongresi. Pas kësaj, senati e modifikoi paketën. Të mërkurën në mbrëmje, senati e miratoi planin e emergjencës me 74 vota pro dhe 25 kundër. Në projektin e miratuar janë përfshirë lehtësime të reja taksash për sipërmarrjet dhe për buxhetet e shtresës së mesme. Për ta bërë më tërheqesë paketën për deputetët, shtresa e mesme lehtësohet me modifikimin e paketës me 100 miliardë dollarë. Veç kësaj, kursimet e investuesve privatë dhe të sipërmarrjeve të vogla do të mbrohen në të ardhmen deri në një shumë prej 250 milionë dollarë, jo deri në kufirin e 100 milionë dollarëve, si deri tani. Por shkurtimet e taksave do të thonë megjithatë një rëndim tjetër për buxhetin.