1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mirënjohje për 100 heronj të lirisë së shtypit

exh (epd, dpa, afp)3 Maj 2014

Në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit, politikanë dhe shoqata në të gjithë botën kanë kërkuar një mbrojtje më të mirë për gazetarët. Organizata "Reporterë pa Kufij" ndërmerr një aksion të pazakontë.

https://p.dw.com/p/1BtJZ
Serhij Leschtschenko
Fotografi: Serhij Leschtschenko

"Në shumë pjesë të globit, liria e medieve shkelet çdo ditë me këmbë", tha në Berlin Astrid Frohloff, zëdhënëse e bordit drejtues të "Reporterë pa Kufij". Në kriza politike si aktualisht në lindje të Ukrainës, liria e shtypit është një nga viktimat e para. Mbrojtja e gazetarëve dhe medieve të pavarura duhet të jetë një kusht për çdo bashkëpunim më të ngushtë me shtetet përkatëse, theksoi Frohloff.

Në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit të shtunën (3.5.) organizata tërhoqi vëmendjen ndaj përfaqësuesve të patrembur të medies dhe aktivistëve në internet, të cilët sipas Frohloff "pikërisht në shtetet represive japin një kontribut shumë të çmuar për zhvillimin e shoqërive të tyre". Për këtë organizata publikoi një listë me 100 "heronj të lirisë së shtypit", të cilët në disa raste rrezikojnë jetën për të vënë në shënjestër korrupsionin apo drejtuar medie kritike.

Në listë janë ndër të tjerë gazetarët Glenn Greenwald dhe Laura Poitras, të cilët publikuan të parët informatat e ish punonjësit të shërbimit sekret të SHBA, Edward Snowden si dhe themeluesi i WikiLeaks Julian Assange. Në listë është edhe gazetari investigativ turk Ismail Saymaz, i cili shkruan që prej vitit 2002 për gazetën "Radikal" tema delikate si liria e mendimit dhe të drejtat e njeriut në atdheun e tij.

Një tjetër emër në listë është ai i Serhij , zv/kryeredaktori i gazetës në internet "Ukrainskaja Praëda". Leshçenko ka kryer në mënyrë të përsëritur kërkime për korrupsionine elitave politike dhe ekonomike. P.sh. publikoi në mënyrë demonstrative shpenzimet e Viktor Janukoviçit krahasuar me rrogën e tij. Sipas të dhënave të "Reporterë pa Kufij", këtë vit janë vrarë deri tani 16 gazetarë dhe 9 aktivistë të internetit. 164 gazetarë dhe 166 aktivistë të internetit janë në burg.

Ban: "Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri"

Në ditën e lirisë së shtypit sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon deklaroi se nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për ata që sulmojnë gazetarët dhe përpiqen përmes frikësimit t'i pengojnë në punën e tyre. "Akte të tilla janë krejt të papranueshme në një botë, e cila është gjithnjë e më shumë e varur nga rrjetet mbarëbotërore të lajmeve dhe nga gazetarët që punojnë për to." Ban tha se i bën thirrje të gjitha qeverive, shoqatava dhe çdo individi, të mbrojë të drejtën themelore për lirinë e shtypit.

Ngjashëm u shpreh edhe Këshilli i Evropës në Strasburg, i cili nga vendet e tij anëtare kërkoi edhe një garanci ligjore për "informatorët". Komiteti i ministrave të Këshillit miratoi një deklaratë, në të cilën vendeve anëtare iu tërhiqet vëmendja për sulmet në shtim kundër gazetarëve dhe për rreziqet e veçanta për gazetaret femra.

Gjermania në vend të 18

Protestë e Reporterë Pa Kufij para ambasadës ruse, shkurt 2014
Protestë e Reporterë Pa Kufij para ambasadës ruse, shkurt 2014Fotografi: Getty Images

Sipas të dhënave të institutit kërkimor amerikan "Freedom House", vetëm një e gjashta e banorëve të globit banojnë në vende ku shtypi mund të informojë lirisht. Ky është stadi më i keq prej më shumë se dhjetë vjetësh, thuhet në raportin e fundit vjetor të organizatës. Gjermania në krahasim ndërkombëtar është në pozicion të mirë me vendin e 18 ndër 197 vendet në renditje. Megjithatë 8 nga vendet e tjera anëtare të BE-së janë më lart se Gjermania në renditje. Vendet e para i zënën Holanda, Norvegjia dhe Suedia. Koreja e Veriut, Uzbekistani dhe Turkmenistani janë në vendet e fundit.

Në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit, Kombet e Bashkuara sjellin në vëmendjen e opinionit vlerën e lartë të të drejtave për informacion dhe liri. 3 maji merr shkas nga një deklaratë për lirinë e shtypit, e cila u miratua në 1991 në Windhuk në Namibi. Në ditën e lirisë së shtypit, shoqatat e gazetarëve tërheqin vëmendjen se raportimi i lirë nuk është i mundur në shumë vende të globit.

Me rastin e kësaj dite përkujtimore, gazetari dhe autori turk i librave Ahmet Sik u nderua me çmimin e UNESCO-s për lirinë e shtypit. Organizata e OKB-së për arsimin, shkencën dhe kulturën (UNESCO) e nderoi gazetarin 44-vjeçar si "mbrojtës të flaktë të të drejtave të njeriut". Në artikujt e tij Sik krititon korrupsionin dhe dhunën kundër lirisë së mendimit.

Gazetari turk e mori çmimin në selinë e organizatës në Paris. Me këtë rast ai deklaroi se shumë kolegë të tjerë në Turqi apo gjetkë e kanë merituar më shumë se ai vetë çmimin. Disa prej tyre kanë humbur jetën, të tjerë lirinë. Për këtë arsye nderimi është edhe për gjithë kolegët e tij, tha Sik.