1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mirëkuptim përmes shkëmbimit kulturor

16 Maj 2012

Kufijtë që ngrenë politikat nacionaliste, përpiqet t'i rrëzojë kultura. Kjo ishte motoja e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë në Prishtinë, ku morën pjesë shkrimtarë nga rajoni ballkanik e më gjerë.

https://p.dw.com/p/14wLm
lFotografi: Fotolia/silver-john

Nuk ndodh shpesh të takohen së bashku shkrimtarët shqiptarë me ata kroatë, maqedonas, boshnjakë, malazez, apo nga vende të tjera, por kur takohen njerëzit e letrave nga Kosova me ata nga Serbia, atëherë takimi kthehet në eveniment të shkëmbimeve kulturore në rajon. Kështu ndodhi kësaj herë në Prishtinë, në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë, POLIP të organizuar nga Qendra "Multimedia" dhe revista kulturore BETON, një shtojcë e së përditshmes serbe "Danas" i zhvilluar nga data 11-13 Maj në Prishtinë.

Kufijtë politikë dhe kultura

Tema qendrore e Festivalit "Kufijtë e politikës, fillimi i poetikës". Ideja e festivalit lindi natyrshëm në Korrikun e vitit të shkluar, në kohën e ngritjes së barrikadave në Veriun e Kosovës, shpjegon drejtori i festivalit për palën kosovare, Jeton Neziraj. "Menduam të vëmë në fokus kufijte se si perceptohen, si reflektohen kufijtë në krijimet e shkrimtarëve. Unë besoj se u takon shkrimtarëve të shohin përtej barrikadave, përtej kufijve".

Jeton Neziraj, organizator i festivalit
Jeton Neziraj, organizator i festivalitFotografi: DW

Pas një heshtjeje gati 40 vjeçare të komunikimit kulturor mes Kosovës dhe Serbisë, veç takimit të lidhur me antologjinë "Me dashuri nga Prishtina" dhe "Me dashuri nga Beogradi", të botuara po nga këto organizatorë, dhe edicionit të parë të Festivalit POLIP, ky është takimi i tretë i shkrimtarëve serbë me ata shqiptarë, këtë herë të ardhur në një numër më të madh se zakonisht. Për drejtorin e Festivalit për palën kosovare, Jeton Neziraj takime të tilla, sado të pakta që janë, janë shenjat e para të bashkëpunimit kulturor, me shpresën që ky bashkëpunim pa paragjykime të shtrihet edhe në shoqëri dhe politikën e të dyjave vendeve. "Ka qenë sfidë sepse ne e dimë kontekstin politik, në të cilin zhillohet ky bashkëpunim, por besoj se thjesht ideja e të qenit bashkë shpresojmë të reflektojë tek politika. Ajo që duam është që të vijë një ditë të jetojmë si fqinjë normalë"

Dialogu fillon vetëm kur e njeh tjetrin

Shkrimtari serb dhe pjesë e grupit letrar që publikon revistën BETON, Sascha Ilic është i vetëdijshëm se muret e paragjykimeve mes ty dyja shoqërive janë ende të larta, por ai është optimist për bashkëpunimin e nisur. "Ne duam ta zhvillojmë këtë bashkëpunim në një diapazon shumë më të gjerë, të botojmë sa më shumë libra dhe t'i përkthejmë në gjuhët përkatëse, dhe të mundësojmë shkëmbimin e shkrimtarëve mes Kosovës dhe Serbisë, gjë që është me shumë rëndësi për faktin se ku shkrimtarët njohin vendin e tjetrit, atëherë ata fillojnë ta kuptojnë më mirë atë. Pjesëmarrja e shkrimtarëve nga rajoni këtu në këtë festival, ndihmon pra edhe në kontekstin politik dhe shoqëror, sepse është shtysë për dialogun, për bashkëpunimin dhe ballafaqimin me të kaluarën, me të cilën po merret Kosova dhe Serbia."

Sasha Iliç i grupit letrar "Beton"
Sasha Iliç i grupit letrar "Beton"Fotografi: Edi Matic

Kultura është gjuha e përbashkët

Dragana Mladenovic, një shkrimtare e re serbe, cila ka ardhur për herë të parë në Prishtinë nga Pançeva, mendon se artistët e shkrimtarët kanë një gjuhë të përbashkët dhe i ndërtojnë shpesh urat e komunikimit. Punët e mira prishen nga nacionalistët, mendon ajo. "Nuk ka pasur problem të vij. Kam ardhur të mbledh përshtypje nga Prishtina dhe këto përshtypje t'i ndaj me miqtë e mi. Kam takuar një grup njerëzish entuziastë, të ngjashëm me njerëzit që kam takuar në Europë, të ngjashëm me njerëzit në Beograd apo Pançevë."

Podiume diskutimi, workshop-e, lexime letrare, biseda të lira. Tre ditët e festivalit POLIP ishin ndoshta pak për shkrimtarët nga rajoni, por ato zgjuan kureshtjen për tjetrin dhe vunë bazën e shkëmbimeve të ardhshme. Për të tejkaluar kështu atë histori të gjatë mosnjohjeje, siç përmbledh shkrimtari Agron Tufa: "Historia e Ballkanit është histori mosnjohjesh, keqnjohjesh dhe paragjykimesh. I vetmi element që mungon aty është njohja."

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Amarildo Topi