Minoritetet në Shqipëri kundërshtojnë ndëshkimin me gjobë për deklarimet e rreme
8 Shtator 2011Minoritetet etnike dhe grupet etno-kulturore në Shqipëri kundërshtojnë ndëshkimin me një gjobë prej 700 eurosh, të parashikuar në ligj, Por Genc Pollo, ministër dhe kryetar i Komisionit Qendror të Censusit thotë për DW se ndëshkimi me gjobë për deklarime të rreme është një praktikë e vendeve anëtare të BE dhe nuk cenon vetëdeklarimin.
Bledar Bashanoviç është përfaqësues i minoritetit serbo-mlazez në Komitetin Shtetëror për Minoritetet. Ai është i shqetësuar për nenin 20, në Ligjin për Censusin, nen që parashikon një gjobë prej rreth 700 eurosh për këdo që bën një deklarim të rremë, që rezulton i tillë pas ballafaqimit me dokumente shtetërore. Fjala nuk është për përgjigje të pyetësorëve të censusit lidhur me kushtet e jetesës apo nivelin e arsimimit, Po për pyetjet lidhur me përkatësinë etnike, gjuhësore dhe fetare, pyetje që nuk janë të detyrueshme për t'iu përgjigjur por opsionale.
Z. Bashanoviç mendon se neni që parashikon ndëshkimin lidhur me këto pyetje bie ndesh me disa të drejta themelore të njeriut, me Konventën kuadër të Këshilit të Evropës për Mbrojtjen e Minoriteteve dhe krijon hapësira për të dhëna jo të sakta lidhur me numrin e anëtarëve të minoriteteve etnike në Shqipëri. “Ligji për censusin me nenin 20 është në kundërshtim me disa instrumente ndërkombëtare që garantojnë lirinë e shprehjes, lirinë për të qenë pjesë e një minoriteti etnik, lirinë për t'u deklaruar ose jo me një përkatësi etnike të ndryshme nga ajo e shumicës së popullsisë,” thotë Bledar Bashanoviç për programin shqip të DW. Ai thotë se Komiteti shtetëror i Minotriteteve përkrah kërkesën për heqjen e nenit që parashikon gjobën dhe verifikimin e deklarimeve lidhur me përkatesine etnike.
Pasoja të ish-regjimit komunist në Shqipëri
Shqetësimi i Bledar Bashaniviçit është i lidhur me një praktikë që u zbatua gjatë regjimit komunist, kur anëtarëve të minoritetetit grek, maqedonas apo serbo-malazez iu ndërrua përkatësia etnike në shqiptare kur u larguan nga territoret e njohura si zona të këtyre minoriteteve drejt qyteteve të mëdha, si Tirana, Durrësi, Korça, Fieri etj. “Jam i bindur që pjesëtarët e minoritetit serbo-malazez në regjistrat themelorë të gjendjes civile e kanë përkatësinë etnike shqiptare,“ thotë ai.
njëjtin pohim bën edhe përfaqësuesi i minoritetit maqedonas Foto Nikolla. Ai thotë për programin shqip të DW se ndryshimi i përkatësisë etnike nga maqedonase në shqiptare, i kryer gjatë regjimit të kaluar, mbeti i tillë edhe sot e kësaj dite. “Minoriteti maqedonas, që njihet zyrtarisht si i tillë në zonën e Prespës, lëvizi drejt qendrave urbane. Familjet që lëvizën drejt këtyre qendrave në regjistrin e gjendjes civile janë shënuar shqiptarë,” thekson ai.
Kjo do të thotë që nëse këto familje deklarojnë gjatë censusit se kanë përkatësi etnike maqedonase, ky deklarim do të konsiderohet i rremë pasi në Regjistrin Themeltar të Gjendjes Civile ato janë shënuar me përkatësi etnike shqiptare dhe ata mund të ndëshkohen me një gjobë prej 700 eurosh, shumë kjo e konsiderueshme. “Kërkojmë që për minoritetet kjo gjobë të hiqet dhe që qeveria lidhur me këtë problem të ndërmarrë bisedime dhe konsultime me minoritetet,” thotë z. Nikolla.
Qeveria: ndëshikimi me gjobë një praktikë evropiane
edhja e të dhënave të sakta për minoritetet etnike përmes kryerjes së censusit është një kërkesë e BE ndaj Shqipërisë, e shprehur në Progres-Raportin e vitit të kaluar. Jo vetem kaq por edhe ndëshkimi për deklarim të rremë rezulton një praktikë evropiane. Genc Pollo, ministër, kryetar i Komisionit Qendror për censusin thotë për programin shqip të DW: "Ndëshkimi me gjobë është një praktikë e disa vendeve të BE apo që aspirojnë të anëtarësohen. Asnjëherë nuk synohet një grup i caktuar, qoftë grup minoritar apo maxhoritar për një çështje apo për një tjetër,” thotë z. Pollo.
A cenohet parim i vetedeklarimit nga ndëshkimi me gjobë?
“Vetëdeklarimi është baza e metodologjisë së censusit dhe ai nuk cenohet nga neni 20, ku ndëshkimi në rast deklarimesh të rreme apo mungese bashkëpunimi për të kryer censusin përbën një rregull. Pra, ligji i censusit parashikon rregulla, që garantojnë procedim korrekt të censusit, mbledhje të të dhënave reale, dhe nuk përbën asnje argument për shqetësim, frikë dhe mosbesim në zbatimin e këtij ligji,” thotë z. Pollo.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Elert Ajazaj