Minoritetet në jug të Shqipërisë: Ka arritje, por ende mjaft indiferencë
30 Dhjetor 2008Pas një anketimi të zhvilluar në rajone të ndryshme të Shqipërisë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëren ende probleme në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut, probleme që shkojnë deri në diskriminim. Probleme në drejtim të respektimit të pakicave konstatohen sidomos në jug ku jetojnë më tepër minoritete si grekët, vllehët, egjyptianët dhe romët. Vihet re mungesa e minoriteteve në strukturat përfaqësuese, probleme në punësim e strehim, mosmbështetje nga shumica për problemet e pakicës, probleme të arsimimit të fëmijëve. Këtyre iu shtohet edhe mungesa e informacionit dhe njohja e pakët e konventës për të drejtat e njeriut.
Vështirësi të mëdha kanë romët
Një nga udhëheqëset e këtij anketimi, përfaqësuese e K.SH.H, Kaliopi Bici thekson se një problem i mprehtë mbetet respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe veçanërisht i minoritetit rom. Bici sheh vështirësi në integrimin e tyre në jetën e përditshme, parandalimin e diskriminimit ndaj tyre si një nga drejtimet kryesore të konventës kuadër dhe këtu problemi është shumë i dallueshëm, veçanërisht te trajtimi i diferencuar i romëve.
Indiferenca e shtetit për minoritetet
Psikologu dhe sociologu Llambi Bllani vëren se organet e qeverisjes vendore e shtetit janë indiferente ndaj minoriteteve, si atë grek, por kryesisht indiferencë më e madhe shihet tek pakicat rome, vllahe e egjyptine që janë në një masë të madhe në jug të Shqipërisë . Bllani: "Në lidhje me minoritetet në qarkun tonë pas një studimi që ka bërë Komiteti i Helsinkit, unë si psikolog i fushave sociale them që në qoftë se duam të ndryshojmë diçka në këtë komunitet duhet bërë një standartizim nga ana e shtetit tonë ashtu si për të gjithë qytetarët e tjerë edhe për ata qytetarë në mënyrë që ne të kemi rezultate konkrete."
Një nga drejtueset e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Zana Sota vëren se të gjitha problemet që kanë dalë prej anketimit do të paraqiten si probleme në parlamentin dhe ekzekutivin shqiptar me synimin për të hartuar politika të reja për vitin 2009 që do të çonin në përmirësimin e nivelit të të drejtave të pakicave dhe minoriteteve në Shqipëri.