1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kthim më i shpejtë", por integrim më i mirë refugjatësh

aud/ksb/es (eps, dpa)2 Janar 2015

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Hermann (CSU) kërkon integrim të refugjatëve, por edhe për kthim më të shpejtë të shpërdoruesve. Në një dokument të CSU-së flitet për projekte për aplikime më të shpejta për azil.

https://p.dw.com/p/1EEMU
Joachim Herrmann
Fotografi: Pressefoto CSU

Sipas Herrmannit, i cili është nga partia simotër bavareze e CDU-së në pushtet, një politikë e qendrueshme ndaj azilantëve dhe refugjatëve do të thotë "që t'u jepet ndihmë refugjatëve të vërtetë, por edhe që t'u thuhet atyre që abuzojnë me sistemin se nuk mund të rrinë përgjithmonë këtu."

Kur është marrë një vendim, ai duhet të zbatohet: "Kjo do të thotë, kur dikush pranohet si refugjat, atëherë duhet të vazhdojë integrimi, për të përmirësuar gjendjen," i tha Herrmann të premten televizionit bavarez, Bayerischer Rundfunk. Sipas Herrmann-it, kjo përfshin "shkollim të mirë dhe trajnim profesional, në mënyrë që refugjatët të integrohen mirë në tregun e punës."

Dëbimi i shpërdoruesve

Në të njëjtën kohëm Herrmann-i bëri thirrje për kthim më të shpejtë të atyre që abuzojnë me kërkesat për azil. Kur refuzohet një kërkesë për azil, atëherë "konkluzioni logjik duhet të jetë që ky person duhet të largohet sërish me shpejtësi nga vendi. Ne duhet të këmbëngulim te kjo; përndryshe i gjithë procesi do të kthehet në farsë."

Në këtë kuptim, kthimi nuk është "ksenofobi, por rezultat i një procesi kushtetues", tha politikani i CSU-së.

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" citon sot (02.01.2015) edhe një propozim të CSU-së për një proces më të shpejtë aplikimi për azilkërkuesit në Gjermani. Më tej në artikull thuhet se mesatarisht, procesi i kërkimit azil në Gjermani "është shumë më i gjatë" se në vendet fqinje, si Zvicra.

Aktualisht, aplikimi dhe trajtimi i kërkesës për azil në Gjermani kërkon mesatarisht tetë muaj. CSU-ja synon me propozimin e saj që rastet e thjeshta të përfundojnë brenda gjashtë javësh.